Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    ARRIJ

    jokal.
    1. Vij ose shkoj në vendin për ku isha nisur, mbërrij: arrita në shtëpi; arriti i pari (i fundit, vonë); arriti treni.
    2. Vij deri në një kohë të caktuar; mbush një moshë; v. III vjen një kohë e caktuar, një ngjarje, një dukuri etj.: arriti të tetëdhjetat; mos arrifsh! (mallk.) vdeksh i ri!; arriti pranvera; arritën të korrat; arriti radha ime.
    3. Edhe kal. zë, prek ose kap dikë a diçka; e mbërrij: e arriti me dorë; e arrita në rrugë; sa të arrijë syri; / fig. barazohem me dikë; përmbush një dëshirë, një detyrë etj., vij te një rezultat i caktuar: e arriti në mësime; as te thembra s'ia arrin është aq larg, sa nuk mund të krahasohet me të; arritën suksese të mëdha.
    4. Edhe kal., vij deri në një cak, në një shkallë ose në një masë: arriti shumën; arriti kulmin; më arriti uji deri në brez; arritën fiqtë u poqën; arriti deri atje sa...; / v. III bised. mjafton, del: arrin e tepron; arrin sa për një fustan; s'arrijnë paratë.
    5. Edhe fig., mund të bëj diçka, ia dal mbanë, mundem: ia arrij ta kryej vetë; aq i arrin mendja aq mendon; s'më arrin dora (çapi) nuk mundem.