ABSOLUT mb.
1. Që nuk varet dhe nuk kushtëzohet nga diçka tjetër; që merret a që vështrohet në vetvete, pa u lidhur e pa u krahasuar me diçka tjetër; kund. relativ. Shifër absolute. Vlerë absolute. Rritja absolute. Prodhimi absolut. ek. E vërteta absolute. filoz. Varfërimi absolut. ek. Mosha absolute. gjeol. Shkalla sipërore absolute. gjuh. Shpejtësi absolute. fiz. Lartësi absolute. gjeod. Peshë (lagështi) absolute. Ide absolute. filoz. shih tek IDE,~JA.
2. Që është i plotë e tërësor, që nuk ka asnjë përjashtim a kufizim; që është në skajin me të tejmë të shfaqjes së vet, që nuk ka tjetër përtej tij; i përsosur. Epërsi absolute. Qetësi absolute. Liri (drejtësi) absolute. Besim (nënshtrim) absolut. Mungesë (pamundësi) absolute. Kampion absolut. Sport. sportist që ka fituar mbi kundërshtarët e tjerë në ndeshjet e një lloji të caktuar sporti. Zero absolute. fiz. shih te ZERO,~JA. Temperaturë absolute. fiz. shih tek TEMPERATUR/Ë, ~A.
3. Që është i prerë e i padiskutueshëm, që nuk bën asnjë lëshim; i domosdoshëm. Gjykim (ton) absolut. Nevojë absolute. Në mënyrë absolute.
4. Që nuk njeh asnjë ligj dhe asnjë kufizim në ushtrimin e pushtetit vetjak, që e mban në dorë gjithë pushtetin; tiranik, despotik. Monarki absolute. Shtet (regjim, sundim) absolut. Mbret (sundimtar) absolut. * Shumicë absolute shumicë që e kalon gjysmën e tërësisë së numëruar, shumicë dërrmuese.