ANË
f. sh.
- Pjesa e diçkaje larg mesit të saj, skaj; skaji më i largët, fundi; pjesa majtas ose djathtas, krah: anët e byrekut; anët e barrës; ana e padukshme e Hënës; ana e prapme (tjetër) e medaljes (edhe fig.); nga të gjitha anët; në anë të anës (të botës) shumë larg; nga ana e anës nga shumë larg; në të katër (në të gjitha) anët kudo; anë e kënd kudo; katër anët e horizontit; ana e diellit lindja; ana e borës veriu; ana e mesditës juga; fle në një anë fle në brinjë; u kthye nga ana tjetër; marr anët qethem anash; s'i gjendet ana është i pafund; në anë të lumit në breg të lumit; ha ana rëndon barra në një krah; cohës shihi anën, vajzës shihi nanën (fj. u.); / pjesë, tipar, veçori etj. e dikujt a e diçkaje: ana e dobët (e njeriut); e parë nga ajo anë...
- kryes. sh. bised. Vend, krahinë: është nga anët tona.
- Edhe fig., njeri, grup njerëzish a pikëpamje përballë një njeriu, një grupi njerëzish a një pikëpamjeje tjetër; palë, krah: ana paditëse; ana e vajzës (e djalit); nip nga ana e gruas; nga ana e jashtme; nga ana teorike; nga ana ime... për mua...; nga njëra (një) anë..., nga ana (më anë) tjetër... përdoret kur kundërvihen ose kur krahasohen dy fakte, dy rrethana etj.
- Edhe fig., mjet a mënyrë për të bërë diçka, ndihmë: me anën e vëllait me ndihmën e vëllait, nëpërmjet vëllait; me anën e një leve; ia gjeti anën.
Shprehje
- Ana e keqe euf. djalli; në atë anë fli! iron. në atë krah fli!; dal në anë e kapërcej një vështirësi, shpëtoj nga një e keqe; ia ka marrë anën (diçkaje) e njeh mirë, e di si ta bëjë; s'ia di anën (diçkaje) nuk e di ku e ka burimin a shkakun; nuk di nga ta kap; e nxjerr në anë e përfundoj me sukses, ia dal mbanë; nuk ka anë e udhë (diçka) nuk përligjet, nuk ta rrok mendja, nuk mund të pranohet a të lejohet; e kaloj për anash vetëm sa e përmend; e anashkaloj; e mori ana ra nga shëndeti, u plak e u rrëgjua; s'pyet (s'dëgjon, s'do t'ia dijë) nga ajo anë nuk i trembet asaj gjëje.