Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    BARK

    m. sh.
    1. Pjesa e trupit ku janë stomaku, zorrët etj.; stomaku e zorrët: e mbushi barkun; i dhemb barku; / zgavra e poshtme e trupit të femrës, ku zhvillohet pjella: që në bark të nënës; djalë i barkut djalë i lindur vetë (jo i gjetur); / pjesa e përparme e trupit nga gjoksi e poshtë: ka vënë bark; me barkun te goja shtatzënë në muajt e fundit; iu bë barku daulle (kacek).
    2. fig. bised. Kjo pjesë e trupit si vatër e ndjenjave, zemra, shpirti: s'ma do barku; më iku barku; m'u rrotullua barku m'u dhimbs shumë dikush; e ka barkun të gjerë është zemërgjerë; duron shumë e fal; i ka hyrë frika në bark; ia zbrazi barkun ia tregoi të gjitha; i qau hallin; ç'ka barku e nxjerr bardhaku (fj. u.).
    3. Fëmijët që lind një nënë me një burrë ose të vegjlit që pjell një kafshë: barku i parë; vëllezër të një barku; rrojnë bashkë tri barqe; / etnogr. pasardhësit e një gjinie, gjiri; / fig. bised. brez: bark pas barku.
    4. Sëmundje me jashtëqitje të shpeshtë e të hollë, diarre; nevojë e hollë: barku i keq (i lig) dizenteria; barku i verës; e zuri barku; më heq bark; ka dalë bark.
    5. Faqe e harkuar a e fryrë e një sendi; pjesa e zgavërt e diçkaje: barku i shtambës (i vozës); ka. lëshuar bark (muri).
    6. fig. bised. Brendësi: në bark të malit; / mesi i një periudhe: në bark të javës (të verës).

      Shprehje

      • Iu bë barku petë (gropë, dërrasë) ka shumë kohë pa ngrënë; e bëri barkun hambar duroi shumë, u tregua zemërgjerë; u bë bark e shpinë u dobësua shumë; na hapi barkun na preku thellë; / keq. na ngjalli krupë; s'i digjet (s'i pëlcet) barku përçm. s'e ha meraku fare për dikë; mbaj barkun (brinjët) me dorë po këputem së qeshuri; nuk mban gjë në bark nuk di të mbajë asnjë të fshehtë; më mbiu në bark m'u mërzit (diçka që e kam ngrënë shpesh); nxori bark e zorrë volli shumë; / s'la gjë pa thënë për dikë; thau barkun (gojën) ndenji pa ngrënë (për kursime, për fëmijët etj.); e ka barkun të tharë nuk ka ngrënë gjë fare; / nuk ka lindur dot fëmijë (për gratë); të vret barkun! iron. të pëlqen ta hash, por bën sikur nuk do; barku thatë e koka lart edhe s'ka, edhe shet mend.