BATERI f.sh.
1. usht. Njësi artilerie që përbëhet prej disa togash dhe që ka katër deri në gjashtë gryka zjarri; ushtarët që shërbejnë në këtë njësi. Bateri topash (mortajash, raketash). Bateri kundërajrore (bregdetare). Komandant baterie. Qëllon me bateri.
2. kryes. sh. fig. Goditje, përpjekje a sulme të përqendruara kundër dikujt a diçkaje për të arritur një qëllim. Bateritë e kritikës. Me të gjitha bateritë. Zbrazi bateritë.
3. fiz. Grup pilash, akumulatorësh ose kondensatorësh, që janë lidhur së bashku për të dhënë rrymë elektrike. Bateri elektrike (kimike, diellore). Bateri e thatë. Bateri ushqyese. Bateri pilash (akumulatorësh, kondensatorësh). Bateri ndriçimi. Bateri automobili. Radio me bateri. Ngarkoj bateritë. Shkarkohen bateritë.
4. tek. Pajisje e përbërë nga disa pjesë ose nga disa elemente të njëjta, që janë lidhur së bashku për të bërë një punë. Bateri kazanësh (turbinash, ngrohësish, ndriçuesish).
5. sport. Një radhë atletësh në një garë me shumë pjesëmarrës, që nisen të ndarë në grupe. Bateria e parë (e dytë, e tretë...). Bateri vrapimi. Niset një bateri.
6. muz. Grup daullesh të mëdha e të vogla, të cilave u bie një muzikant në një orkestër. Luan në bateri.