BESIM m.sh.
1. Bindje e fortë se diçka është e vërtetë ose se do të kryhet patjetër; ndjenja e sigurisë për dikë që ka merita e veti të larta, bindje në çiltërinë, në ndershmërinë e në ndërgjegjen e dikujt; siguria në forcën e arsyes ose në drejtësinë e dikujt; qëndrim i mbështetur në këtë bindje e siguri. Besim i madh (i patundur, i pakufishëm). Besim i tepruar (i verbër). Besimi te Partia (te populli). Besimi në fitore. Besim në vetvete. Besimi në të ardhmen. Mungesë besimi. Kam besim jam i bindur; besoj. Shpreh besimin. I ngjall (i frymëzoj) besim. I forcoj (i shtoj) besimin. Ia lëkundi besimin. Më shtohet besimi. Mbush me besim. Humbi besimin në vetvete. I jap besim i besoj, i zë besë. Kam (meritoj, gëzoj) besimin e dikujt. Fitoj (humbas) besimin e dikujt. Shpërdoroi besimin e të tjerëve.
2. Pranimi i dogmës dhe i riteve të një feje; një fe dhe përkatësia zyrtare në të. Besimi fetar (i krishterë, mysliman).
3. kryes. sh. Bindja e kotë në përfytyrime fetare e në paragjykime për diçka të mbinatyrshme; besëtytni, paragjykim. Besimet e kota. Besimet e popujve të lashtë.