Skip Navigation or Skip to Content
X
BRISK m.sh.
1. Thikë çeliku e posaçme me dorëz, me një teh shumë të mprehtë, që përdoret për t'u rruar; pllakëz çeliku shumë e hollë dhe me dy tehe shumë të mprehta, që vihet në një vegël të posaçme dhe përdoret për t'u rruar. Brisk rroje. Brisk makine. Brisku i berberit. Rruhem me brisk. Mpreh briskun. Të pret si brisk. I bie me brisk (mjekrës, fytyrës, faqes) rruhem. Heq (shkoj) brisk rruhem.
2. Thikë e vogël xhepi me një presë, që hapet e mbyllet në një dorëz prej briri, prej lënde plastike, prej metali etj.; biçak; vegël me presë, që shërben për të krasitur drurët, për të prerë lulet, për shartime etj. Brisk xhepi. Brisk shartimi. Brisk për krasitje. Brisk me dy presa. Presa (doreza) e briskut. Me majë të briskut. Gdhend me brisk.
3. përd. mb. Shumë i mprehtë; shumë i ftohtë. I ka dhëmbët brisk. Uji është brisk.
4. përd. ndajf. Përdoret së bashku me disa mbiemra për të treguar shkallën e lartë të cilësisë që shprehin ata, me kuptimin «shumë, jashtëzakonisht». I mprehtë brisk. I ftohtë brisk. * Mbeti (ngeli) brisk mbeti pa gjë fare. Ia preu me brisk nuk e la të vijojë a të zgjatet, ia preu shkurt; ia preu me sëpatë. Është buzë brisku është i hollë e i shtrirë mirë; është i palosur, i hekurosur mirë, i ngrirë. E ka gjuhën (gojën) brisk (është brisk nga goja) është i zoti i fjalës, është i gojës, e ka gjuhën shpatë. I pret gjuha (goja) brisk (gozhdë, hekur) shih te PRES I. I ka këmbët brisk është shumë i shpejtë në të ecur, nuk ndihet fare. E ka mendjen (gjykimin) brisk është i zgjuar e i shkathët, është i mprehtë nga mendja. Shkojnë (janë) thikë e brisk (brisk e thua) shih te THIK/Ë,~A. Shkojnë majë e brisk (majë me majë) shih te MAJ/Ë,~A. I qëndron brisk me brisk (majë e brisk) dikujt zihet me dikë pa u frikësuar, grindet e hahet dhëmb për dhëmb me të. S'ka shkuar (s'ka vënë) brisk në faqe është ende i mitur, nuk është bërë burrë. Shkova në majë të briskut kalova një rrezik dhe shpëtova për mrekulli. Është (qëndron) në teh (në presë) të briskut (të thikës, të shpatës) shih tek TEH,~U. Më rrove, të rrova, brisku (qe) i berberit shih te BERBER,~I.