ÇIKRIK m.sh.
1. Mjet i përbërë nga një rreth që rrotullohet zakonisht me këmbë dhe që përdoret për të dredhur me dorë a për të mbështjellë fillin e leshit, të pambukut etj.; pjesa e një makine, e cila rrotullohet për të dredhur fillin. Dorëza e çikrikut. Reparti i çikrikëve. Dredh me çikrik.
2. Mjet për të nxjerrë ujë nga pusi, i përbërë prej një boshti ku mbështillet litari i kovës, prej dy kryqeve në të dy anët për ta rrotulluar me duar dhe prej dy drurëve mbështetës në anë të grykës së pusit. Çikriku i pusit. Mbledh litarin në çikrik. Lëshoj çikrikun. Nxjerr me çikrik.
3. tek. Mekanizëm i thjeshtë për të ngritur pesha, i përbërë nga një rrotë me kanal të thellë përreth dhe nga litari me çengel në fund; makara; rrota e këtij mekanizmi. Litari i çikrikut. Ngre me çikrik. Ul çikrikun. Del litari nga çikriku.
4. Rrotë e vogël penjsh. Një çikrik pe.
5. Mjet për të ujitur, i përbërë nga një rrotë e madhe druri me fletë dhe me kova të vogla, që rrotullohet nga rrjedha dhe e ngre ujin për t’u derdhur në një lug; rrotë uji. Çikrik ujitës. Rrota e çikrikut. Fletët e çikrikut. Ujit me çikrik. * I ka luajtur (i ka ikur) çikriku nuk është në rregull nga mendtë, nuk e ka mendjen në vend.