Skip Navigation or Skip to Content
X
DALLGË f.sh.
1. Valë e madhe në det, në liqen etj., që lëviz me vrull. Dallgë të fuqishme. Dallgët e detit. Nëpër dallgët e lumit. Kreshta (shkuma) e dallgëve. Forca (fuqia) e dallgëve. Det me dallgë. E rrëmbeu (e përpiu, e përplasi) dallga. Ka dallgë. Çan dallgët. Qëndron sipër dallgëve. U bëri ballë dallgëve. E hodhën dallgët në breg.
2. fig. Diçka që të kujton valët e detit ose që lëviz si ato; grumbull i madh njerëzish, që vërshojnë me vrull e pa u ndalur dhe që lëvizin valë-valë. Dallgët e grurit (e thekrës). Dallgë njerëzish. Dallgët e demonstruesve.
3. krahin. Shi me erë të fortë shtrëngatë, furtunë. Mbrëmë bëri dallgë e madhe. I theu dallga pemët.
4. kryes. sh. fig. Vështirësi, ndryshime e përpjekje të mëdha e të njëpasnjëshme në jetën e njerëzve a në rrjedhën e ngjarjeve, ngritje e ulje në jetë që kërkojnë përpjekje të mëdha për t'i kapërcyer; vërshim i papërmbajtur ndjenjash (zemërimi, urrejtjeje etj.); valë. Dallgët e jetës. Dallgët e revolucionit (e luftës). Dallgët e zemërimit (e urrejtjes). * Merr dallgë shih te MARR. Është me dallgë dikush është i zymtë e tërë inat, i ka hipur inati. E paskan kapur dallgët dikë qenka zemëruar shumë, qenka tërë inat; po shfryn e turfullon nga inati.