Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    DI

    kal.
    1. Kam njohuri ose të dhëna për dikë a për diçka; e kam marrë vesh; e zotëroj: di disa gjuhë; e di përmendsh (ujë, në majë të gishtave) e di shumë mirë; ia di zemrën (kokën, mendjen); ia di huqet e njoh mirë; me sa di unë nga të dhënat a njoftimet që kam, nga ç'kam marrë vesh; e kam ditur njeri me mend e kam njohur a e kam menduar si njeri të zgjuar: më mirë të dish se të kesh (fj. u.); i zoti e di ku i pikon çatia (fj. u.).
    2. Jam i zoti të bëj diçka; edhe jokal., kuptoj, marr vesh; jam i vetëdijshëm për diçka, e çmoj: di t'i bjerë violinës; di të sillet (ta përmbajë veten); nuk di të lidhë dy fjalë (bashkë) s'është i aftë t'i shprehë qartë mendimet, mezi flet; s'ditën nga ikën ikën të shpërndarë; djalli e di (thjesht.) askush nuk e di; ia di për nder (për të mirë) (dikujt) i jam mirënjohës.
    3. kryes. moh. Nuk i nënshtrohem dikujt a diçkaje; nuk trembem, nuk thyhem; nuk e kam provuar a nuk e kam përjetuar diçka, nuk merrem kurrë me diçka: nuk di ç'është frika nuk ka frikë fare; nuk di ç'është gënjeshtra nuk gënjen kurrë; nuk di ç'është pushimi nuk pushon asnjëherë; nuk di llafe (fjalë) nuk merret me llafe, nuk ka fjalë.
    4. Ngulit në mend; mësoj: dije mirë se duhet shumë punë; e di ç'ke ti? përdoret për t'i tërhequr vëmendjen bashkëbiseduesit, kur i themi për një punë a kur e këshillojmë për diçka.