Skip Navigation or Skip to Content
X
DUROJ kal.
1. edhe jokal. I përballoj dhe i kaloj vështirësitë, dhembjet, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë etj. i qetë e gjakftohtë, pa u ankuar e pa u ligështuar; i bëj ballë a i qëndroj një ndikimi, një veprimi ose një ngacmimi të jashtëm; jam në gjendje të mposht një dëshirë, një nevojë, një kërkesë të organizmit që më tundon a më mundon. I duroi dhembjet (vuajtjet, fatkeqësitë). E duroi etjen (urinë). E duron të ftohtët (të nxehtët, vapën). I duroi torturat. Duroi pa ngrënë (pa pirë). S`e duroi dot lodhjen (pagjumësinë). S`e duron dot dritën (pluhurin). Duronte nga e keqja. Duroi disa ditë pa bukë. Duroi gjithë rrugën pa ujë. Duroi shumë. S`duron fare.
2. jokal. Kam durim, nuk ngutem, nuk rrëmbehem, përmbahem. S`duroi pa folur (pa pyetur).
3. jokal. Pres dikë a diçka i qetë për një kohë të gjatë; pres me durim. Duro, se do të të vijë radha! Do të durojmë sa të vijë edhe ai.
4. Pranoj një gjendje të caktuar, mësohem a pajtohem me një gjendje ose me diçka tjetër të papëlqyeshme, të keqe, të rëndë, të mërzitshme etj.; (zakon. me pjesëzën mohuese «s», ore «nuk» dhe me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) s`më pëlqen dikush a diçka, më ngjall neveri ose me mërzit, nuk e shoh dot me sy; s'pajtohem me të dhe e luftoj. Si e duron atë gjendje! S`i duron dot çrregullimet (shthurjet). Nuk i duron dot fjalët (shakatë) e rënda. S`e duron turpin. S`e duruan zgjedhën (robërinë). S`e duroj dot atë njeri. S`e durojmë armikun në vatër.
5. vet. veta III (zakon. me pjesëzën mohuese «s» ose «nuk» dhe me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Nuk e pëlqen, nuk e pranon, mezi e tret a nuk e tret dot; më prish a më dëmton, më bie rëndë (për ushqime, për pije etj.). S`ia duron stomaku turshitë. S`ma duron organizmi.
6. edhe jokal. vet. veta III. U qëndron kushteve a veprimeve të jashtme pa u dëmtuar, pa u prishur, pa humbur vetitë a cilësitë (për sendet, lëndët e ndryshme etj.); qëndron për një kohë të gjatë në gjendje të mirë, është shumë i qëndrueshëm, rron (për bimët, perimet, frutat). I duron goditjet. E duron të nxehtët (të ftohtët, lagështirën, thatësirën). Ky tel duron shumë. Ky lloj druri duron shumë (gjatë). Mollët durojnë deri në dimër. Qershitë (fiqtë) s`durojnë shumë.
7. jokal. vet. veta III. Mund të shtyhet për më vonë, nuk është i ngutshëm, pret. Duron kjo punë (kjo çështje). S`duron me gjatë. * Duro të durojmë! thuhet kur duhet të durojmë shumë, të mos ligështohemi e të mos përkulemi përpara vështirësive, fatkeqësive, kushteve shumë të rënda etj. Nuk e duron litarin në fyt shih te LITAR,~I. S'e duron (s'e mban) as qielli, as dheu (as toka) shih te QIELL,~I. Duro zemër e mos plas! thuhet kur na bie një fatkeqësi shumë e rëndë dhe s'kemi ç'të bëjmë.