FIGURË
f. sh.
- Pamja e dikujt a e diçkaje, dukja; tërësia e tipareve fizike të jashtme të dikujt a të diçkaje. Figura e njeriut. Figura e sendit.
- Tërësia e tipareve dhe e vetive shpirtërore të njeriut, bota e brendshme. Figura morale e komunistit (e mësuesit).
- Njeri i njohur, njeri i shquar, personalitet. Figura politike (historike). Figurë e njohur (e shquar, e madhe).
- Pasqyrimi i diçkaje nga bota e jashtme në vetëdijen e njeriut. Figurë e realitetit.
- Qëndrimi që merr dikush kur luan një valle, kur kërcen në një balet etj.; lëvizje që bën valltari, kërcimtari etj. kur luan valle, kur kërcen etj, Figurë koreografike. Bëj një figurë.
- let., art. Realizim artistik, që mishëron veçori tipike të jetës shoqërore, të njohura e të pasqyruara më parë në ndërgjegjen e artistit a të shkrimtarit dhe që arrihet me anën e një sistemi mjetesh lëndore, gjuhësore e ndërtimore. Figurë artistike. Figurë e gjatë. Figura e udhëheqësit të Partisë. Figura e komunistit. Figura e luftëtarit të lirisë. Figura e Skënderbeut. Mjetet e ndërtimit të figurës. Krijoj (ndërtoj) një figurë.
- let. Fjalë a shprehje e përdorur në mënyrë të figurshme, mënyrë e veçantë e ndërtimit të një fraze që bëhet për të shprehur një ide, një ndjenjë etj. Dhe për t’i dhënë ligjërimit forcë e gjallëri të veçantë. Figurë stilistike (poetike, retorike).
- mat. Pjesë e një rrafshi, e kufizuar me një vijë të mbyllur; tërësi pikash a vijash të vendosura në një mënyrë të caktuar. Figurë gjeometrike. Vizatoj (bëj) një figurë.
- Vizatim, skicë etj. në një tekst mësimor a në një libër; ilustrim. Libër (tregim) me figura.
- Emërtim i përgjithshëm për secilin nga gurët me me vlerë në lojën e shahut (mbreti, mbretëresha, kali, oficeri, kalaja), që vihen në rreshtin e dytë (ndryshe nga ushtarët). Figurë e lehtë kali ose oficeri. Figurë e rëndë mbretëresha ose kalaja. Ndërrimi i figurave. Humbas një figurë.
- muz. Grup notash ose pjesësh ritmike, që zakonisht përsëriten; elementi ritmik e melodik në një vepër muzikore. Figurë muzikore (ritmike, melodike).
- Emërtim i përgjithshëm për secilën nga letrat me me vlerë (plaku, dama dhe fanti) në lojën e letrave (ndryshe nga letrat me numra).
Shprehje
- Sa për figurë sa për të thënë, sa për t’u dukur. Bën figurë të mirë (të keqe) libr. shquhet, dallohet, bie në sy për mirë (për keq).