GJAK
m. sh.
- Lëng i kuq që qarkullon në trupin e qenieve të gjalla për të çuar ushqimin e oksigjenin në qeliza, për shkëmbimin e lëndëve etj.: rruazat (enët) e gjakut; qarkullimi i gjakut; ngjyrë gjaku e kuqe e ndezur; me gjak të ftohtë (për disa kafshë) gjakftohtë; i morën (i dhanë) gjak; dhurues gjaku; t'u bëftë gjak e dhjamë! (ur.) të bëftë mirë!; bëj gjak (fig.) ther një kafshë a një shpend; ka derdhur gjakim (fig.) ka dhënë jetën për një çështje të madhe; jap gjakun (fig.) bëhem theror, flijohem për dikë a për diçka të shtrenjtë.
- fig. Afri e ngushtë që vjen prej një paraardhësi të përbashkët, farefisni; i afërm; / etnogr. lidhje farefisnie nga ana e babait: lidhje gjaku; njerëz të një gjaku; i shkon për gjak e ka në fis; gjaku s'bëhet ujë (fj. u.) nuk mund të mohohen lidhjet farefisnore ose kombëtare.
- fig. Prejardhje e përbashkët e njerëzve nga një popull a nga një komb: ka gjak shqiptari; bashkatdhetarë(vëllezër) të një gjaku.
- fig. Luftë a punë me shumë mundime e flijime për të arritur diçka; ajo që arrihet me luftë a me punë të tillë: e fituan (e morën) me gjak; / luftë a përleshje me të vrarë; gjakderdhje: është derdhur gjak është bërë luftë e madhe e janë vrarë njerëz.
- Edhe sh. -qe(t) etnogr. gjakmarrje; hakmarrje; hasmëri: zakoni i gjakut; binin (hynin) në gjak; pajtuesit e gjaqeve; ia çuan gjakun te pragu e ngatërruan në një hasmëri; ia çuan të keqen te dera; / rast kur duhet vrarë një pjesëtar i familjes a i fisit, me të cilin është dikush në armiqësi: gjak i vjetër; i fali gjakun hoqi dorë nga vrasja për gjakmarrje.
- veter. Gjakëz: e zuri gjaku.
- bised. Të përmuajshmet e grave.
- Si mb. i gjakosur, tërë gjak: e kishte këmbën gjak; / shumë i kuq: i kishte faqet gjak.
- Si ndajf. (me mbiemrin i kuq) shumë: gjak i kuq.
- Gjymtyrë e dytë e disa emërtimeve të pathjeshta për fusha të ndryshme: gjak qumështi (bot.) tamblagjak; gjak i bardhë (anat.) limfë.
Shprehje
- M'u avullua gjaku u zemërova shumë, u nxeha tepër; u bëmë gjak (mish e gjak) u bashkuam fort, u shkrimë, u bëmë njësh; m'u bë gjaku (zemra) bozë m'u bë gjaku ujë; m'u bë gjaku ujë u frikësova shumë, u tremba shumë; / u shqetësova pa masë; / u zemërova shumë; e bëra gjak (mish e gjak) e përvetësova thellë diçka; më ra (më vajti, më shkoi) gjaku te këmbët (në fund të këmbëve) u lodha shumë duke ecur ose duke qëndruar në këmbë; u tremba shumë; më buçet gjaku mezi e përmbaj veten, ziej përbrenda; iu ftoh gjaku i ra zemërimi, u qetësua; i ftohu (i uli, i shtroi, i zbuti) gjakrat i qetësoi njerëzit që po grindeshin, i zbuti, bëri që t'u bjerë zemërimi, e qetësoi gjendjen; me gjak të butë i urtë e i shtruar, gjakbutë; / pa u nxehur e pa u acaruar; me të urtë; me gjak të ftohtë me gjakftohtësi; me gjak të ndezur me inat të madh, gjithë zemërim; me gjak (me zemër) të ngrirë me frikë a me tmerr në zemër; me gjak të nxehtë me gjaknxehtësi; gjak i ri njerëz të rinj që pranohen në një organizatë në një institucion etj. për ta forcuar e për ta gjallëruar; kam hequr gjakun me të kam hequr të zitë e ullirit, ma ka marrë shpirtin; i hipi gjaku në fytyrë u nxeh, u zemërua keq; i hipi (i kërceu) gjaku në kokë (në tru) u ndez nga inati, u zemërua shumë; iu hollua gjaku u plak; nuk ka më guximin dhe trimërinë e mëparshme; më ka hyrë (më është futur) në gjak (diçka) më është bërë natyrë e dytë; e kam përvetësuar thellë; i iku gjaku (nga fytyra) u zverdh krejt; u trondit shumë; e ka në gjak (diçka) e ka virtyt a ves të ngulitur thellë; s'ka gjak në fytyrë (në faqe) nuk është i ndershëm e me sedër; nuk turpërohet; e ka gjak në sy e ka halë në sy; e lamë me gjak luftuam shumë për diçka, e mbrojtëm duke derdhur gjak; të merr gjak në vetull është trim i madh; është shumë i zoti; s'i mbeti gjak (pikë gjaku) në fytyrë u zverdh shumë, u zbeh krejt; / u tremb fort, u trondit thellë; iu ndez (iu nxeh) gjaku u zemërua, u nxeh shumë; u ndezën (u nxehën) gjakrat filluan të zihen me fjalë të ashpra, u acarua gjendja; më ngriu gjaku u tremba shumë, u tmerrova; u trondita; i pi (i thith) gjakun (dikujt) e shfrytëzon pa mëshirë a deri në palcë; e mundon tepër, e bën që të vuajë; kam pirë gjak (me dikë) etnogr. jam bërë vëllam; më piqet (më ujdis) gjaku (me dikë) shkoj mirë me dikë, puqem në mendime, më pjek ylli; më prishi gjakun më trembi a më tronditi shumë; më shqetësoi; nuk e prish gjakun (terezinë) i merr punët shtruar; nuk trazohet fare; / nuk pyet për të tjerët; nuk frikësohet; m'u prish (m'u turbullua) gjaku u trondita, u shqetësova shumë; u tremba, u frikësova shumë; shkoi (vajti) gjaku gjer në gju (gjer në bark të kalit) u bë gjakderdhje e madhe; shkoi (rrodhi) gjaku rrëke (lumë) u bë gjakderdhje e madhe; (shkojnë) gjak e lak (shkojnë) shumë keq njëri me tjetrin, hahen e zihen vazhdimisht; më shkriu gjaku u qetësova, erdha në vete, më iku tronditja a frika; pa u tharë (mirë) gjaku fill pas një vrasjeje a pas një gjakderdhjeje; më erdhi gjaku në vend u qetësova, më iku frika e madhe që kisha; i vlon (i zien, i lëvrin) gjaku është plot gjallëri; mezi përmbahet; iu zbut gjaku iu ul zemërimi; u bë i urtë e i butë; e zuri gjaku i ra të fikët; shtangu në vend (pas një vrasjeje); s'i zë vend gjaku është i lëvizshëm, nuk rri në një vend.