Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    GJUHË

    If. sh.
    1. Organ i mishtë e i lëvizshëm në gojë, që shërben për të shijuar dhe që ndihmon për të përtypur e për të gëlltitur ushqimin: maja (shpina) e gjuhës; lëpij me gjuhë.
    2. Ky organ te njeriu që shërben si organ i të folurit dhe si shprehës e kumtues i mendimeve e i ndjenjave të njeriut; të folurit; sh. ata që thonë e përhapin diçka; gojë (edhe në njësi frazeologjike): gjuhët e këqija (e liga) (keq.); e dredh gjuhën i bën bisht bisedës; nuk i qëndron fjalës; i dridhet (i ngatërrohet) gjuha mezi i nxjerr fjalët nga goja, mezi flet (nga shqetësimi, nga frika etj.); i jep gjuhës flet shumë, flet mbarë e prapë; ka gjuhë di t'i shprehë bukur e qartë mendimet, është i gojës; keq. është llafazan, flet shumë e pa vend; merr të tjerët nëpër gojë; mbaje (mblidhe, rrudhe) gjuhën! përmbahu në të folur!, mbaje gojën!; e lakon gjuhën nuk i qëndron fjalës, e dredh gjuhën; e lëshoj gjuhën e lëshoj gojën; nuk i rri gjuha (rehat) nuk pushon së foluri; është i gjuhës është i gojës; m'u mbërthye gjuha m'u lidh gjuha, m'u mbërthye goja; e ka lëshuar gjuhën flet shumë vend e pa vend; është gojështhurur; e ka mbledhur gjuhën nuk flet më aq shumë, nuk llap më, i ka vënë fre gjuhës; e ka zgjatur (e ka rritur) gjuhën (keq.) është bërë llafazan, merr nëpër gojë; merret me thashetheme; mbaje (shtrëngoje) gjuhën pas dhëmbëve (ndër dhëmbë, në mes të dhëmbëve)! mos fol!, kyçe gojën!; e ka gjuhën bilbil është i zoti për të folur, flet qartë e bukur; e ka gjuhën brisk është i zoti i gojës, e ka gojën brisk; e ka gjuhën të gjatë (një pëllëmbë, një pash) është llafazan; nuk mban dot gjë të fshehtë, i tregon të gjitha; ta kthen fjalën menjëherë, është gjuhustër; e ka gjuhën shpatë flet me zjarr për të mbrojtur një i çështje; flet prerë e me të madhe; ia lëshoi frerin gjuhës nuk përmbahet kur flet; ia shtrëngon frerin gjuhës flet me kujdes, përmbahet në të folur; i vë fre gjuhës përmbahet në të folur, i vë fre gojës; s'i zë gjuha vend ndër dhëmbë (s'i rri gjuha prapa dhëmbëve) nuk rri dot pa folur; s'pushon së foluri; i bredhërin gjuha para mendjes flet pa u menduar mirë, i ecën gjuha para mendjes; gjuha është prej tuli (fj. u.) gjuhën mund ta vërtitësh si të duash e të thuash ç'të duash; gjuha pret hekurin (çan gurin, çan shkëmbin) (fj. u.) gjuha ka forcë të madhe; gjuha kocka s'ka e kocka thyen (fj. u.) gjuha ka fuqi të madhe; më mirë të shkasë këmba se gjuha (fj. u.).
    3. Diçka e zgjatur, e ngjashme me këtë organ: gjuhët e flakës; gjuhë dheu (toke) (gjeogr.) rrip i ngushtë toke që zgjatet në ujë; gjuhë lope (bot.) gjuhëlopë.
    4. Gjuhëz2: gjuha e këmborës.

      Shprehje

      • (U bë) si gjuha në gojë u lag i tëri, u bë qull; më ra gjuha (goja) u lodha së foluri ose së përsërituri diçka; më ra gjuha përtokë më ra gjuha (goja); i ka rënë gjuha e këmborës nuk i dëgjohet më zëri, nuk ndihet më; nuk e dëgjon më askush, nuk ia vë veshin më asnjeri; i doli gjuha (një pëllëmbë, një pash) u lodh shumë nga një punë e rëndë, nga një rrugë e gjatë etj.; u lodh së foluri; fshihet pas gjuhës së vet nuk e tregon veten kur flet ose fsheh qëllimet e veta; më ha gjuha nuk më rrihet pa folur; flas padashur për diçka, për të cilën nuk duhet të shprehem; (është) për ta lëpirë me gjuhë është shumë i pastër; kafshoi (zuri, hëngri) gjuhën heshti, e mbajti gojën; u pendua për atë që tha; / përçm. vdiq; m'u lag edhe gjuha u lagëm nga koka te këmbët (nga shiu i madh); e ka lëshuar gjuhën (gojën, llapën) flet shumë, me vend e pa vend; është bërë gojështhurur; m'u lidh gjuha (goja) s'thashë dot asnjë fjalë, s'munda të flisja (nga një tronditje e fortë, nga frika etj.); iu ngjit gjuha pas qiellze s'po nxjerr dot asnjë fjalë nga goja, iu pre goja, iu tha pështyma në gojë; i nxjerr gjuhën (dikujt) e përqesh, e tall dikë; i pret gjuha (goja) brisk (gozhdë, hekur) flet rrjedhshëm dhe me mprehtësi; ta jep përgjigjen menjëherë; është shumë i zgjuar; më shkau (më rrëshqiti) gjuha (goja) u gabova që fola, thashë padashur diçka që nuk duhej ta nxirrja; më shkoi (më vajti, më doli) gjuha prapa u lodha së foluri duke e përsëritur diçka shumë herë ose duke i folur dikujt; më shkoi goja prapa; shkurtoje (preje) gjuhën! mjaft fole!, mos u bëj llafazan!; i është trashur gjuha i është ënjtur gjuha nga të pirët ose nga një sëmundje; keq. ka pirë shumë; i zbërtheu gjuhën (gojën) (dikujt) e bëri të flasë, e detyroi të thotë gjithçka di; më zuri gjuha (goja) lesh u lodha duke folur shumë e duke përsëritur po atë gjë; iu zu (iu tha) gjuha nuk flet dot asnjë fjalë (nga një shqetësim, nga turpi etj.), iu kyç goja; e ka zgjatur gjuhën keq. është llafazan, ka nisur të flas e të kërkojë shumë; flet shumë, shan e merret me thashetheme; e zgjidhi gjuhën (gojën) filloi të flasë e të tregojë për diçka që e mbante të fshehtë.
    IIf. sh.
    1. Sistem tingujsh të nyjëtuar, fjalësh, trajtash e rregullash për formimin e fjalëve dhe për lidhjen e tyre në fjali, i cili është mjeti themelor e më i rëndësishëm i komunikimit ndërmjet njerëzve; një sistem i tillë, i krijuar e i zhvilluar historikisht, si një nga tiparet themelore të një kombësie a të një kombi: gjuha si dukuri shoqërore; lindja (prejardhja) e gjuhës; gjuha shqipe (amtare); gjuha letrare (standarde) forma më e përpunuar e gjuhës së një populli, me norma të ngulitura e të përgjithshme në të shkruar e në të folur; gjuhët indoevropiane; fjalori i gjuhës shqipe; libri i gjuhës; thyej gjuhën fitoj aftësi për të folur një gjuhë të huaj.
    2. Tërësia e fjalëve, e mjeteve gramatikore etj., që përdoren në të folur sipas kërkesave e veçorive të një norme, të një fushe a të një gjinie; ligjërim: gjuhë e shkruar (e folur); gjuhë poetike (bisedore); / mënyra karakteristike e shprehjes së dikujt në të folur; tërësia e veçorive të përdorimit të mjeteve gjuhësore nga dikush a në një vepër, stil: gjuhë e zhdërvjellët (e qartë); gjuha e shkrimtarit (e një vepre); në gjuhën e... (libr.) nga pikëpamja e... sipas... duke e shprehur sipas mënyrës së...
    3. Edhe fig. tërësia e mjeteve për të kumtuar, duke përdorur shenja të caktuara, tinguj, lëvizje etj.; tërësi mjetesh shprehëse që marrin një kuptim konvencional: gjuha e gjesteve; gjuha e pikturës (e muzikës); gjuha e formulave (e shifrave); / tërësia e tingujve ose e lëvizjeve të disa kafshëve dhe të shpendëve për komunikimin e thjeshtë instinktiv ndërmjet tyre: gjuha e kafshëve (e zogjve).
    4. bised. E folme, dialekt; të folurit.

      Shprehje

      • Ia di gjuhën (dikujt) e njoh mirë, e di mirë ç'mendon a ç'qëllime ka; flasin gjuhë të ndryshme nuk e kuptojnë njëri-tjetrin, nuk merren vesh, secili me të vetën; gjejnë gjuhë të përbashkët arrijnë të merren vesh njëri me tjetrin, pajtohen në mendime e në veprime; e ktheu gjuhën e ndryshoi fjalën, ndërroi qëndrim.