Skip Navigation or Skip to Content
X
HISTORIK m.sh.
Përshkrim i përmbledhur i vargut të ngjarjeve dhe i të dhënave që lidhen me lindjen e me zhvillimin e një veprimtarie, të një fshati, të një ndërmarrje, të një kooperative, të një njësie ushtarake etj.; histori. Historiku i zhvillimit të diçkaje. Historiku i shkollës(i fshatit, i kooperativës, i ndërmarrjes). Historikët e brigadave. Historiku i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të një qarku. Hartimi i historikëve. Shkruan (bënë) historikun.
HISTORIK mb.
1. Që ka të bëjë me historinë, që i përket historisë, i historisë. Zhvillimi (procesi) historik. Studime historike. Shkenca historike. Monument (dokument) historik. Dëshmi (të dhëna) historike. Periudhë historike. Shkaqet (rrënjët) historike. Kategori historike.
2. Që dëshmohet se ka qenë me të vërtetë; që ka qenë i gjallë, i përgjigjet realitetit dhe nuk është i trilluar a i shpifur. Fakt historik. Figurë historike. Personazh historik.
3. Që është shumë i rëndësishëm për shoqërinë, që vlen të mbahet mend e të përkujtohet, i njohur, i shënuar; që ka hyrë në histori si diçka e rëndësishme; që është i lidhur me një ngjarje të rëndësishme të historisë. Datë (ditë) historike. Përvjetor historik. Kthesë historike. Kongres historik. Mbledhje historike. Vendim historik. Fitore historike. Rol (mision) historik. Përvojë historike. Vende historike.
4. Që mbështetet plotësisht ose pjesërisht në ngjarje të historisë, që paraqit a përshkruan një figurë ose një ngjarje të rëndësishme të historisë. Roman historik. Me subjekt historik. Këngët historike.
5. Që ndriçon rrugën e lindjes dhe të zhvillimit të pandërprerë të dukurive në etapa të ndryshme dhe në lidhje të ngushtë e dialektike me kushtet konkrete; që studion historinë e zhvillimit të pandërprerë të fakteve e të dukurive të një fushe të caktuar (për shkencat). Metoda historike e studimit. Vështrim historik. Analizë historike. Shpjegimi historik i dukurive. Gramatika (fonetika, leksikologjia) historike. Botanika (gjeografia) historike.
6. Që njihet e dëshmohet me anë të dokumenteve (në kundërvënie me prehistorinë). Periudha historike. Koha historike dhe prehistorike e një populli. * Materializmi historik shih te MATERIALIZ/ËM,~MI.