Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    HUAJ

    Ikal.
    1. I jap hua dikujt. I huajti një shumë të madhe. I huajti një libër.
    2. Marr hua prej dikujt; e marr prej dikujt tjetër. Huajti para (drithë). Ia huajti vëllait.
    3. gjuh. Huazoj. Çdo gjuhë ka huajtur fjalë nga gjuhë të tjera.
    IIm. sh.
    1. Ai që ka lindur nga një tjetër, ai që nuk është i barkut tim.
    2. Ai që është jashtë rrethit familjar ose miqësor, ai që nuk bën pjesë në këtë rreth dhe që nuk e afron gjë me të; ai që nuk bën pjesë fare në një grup njerëzish, të cilët punojnë a janë të lidhur bashkë, ai që është i jashtëm për ta. I huaji i sheh menjëherë ndryshimet. Ndalohet hyrja për të huajt! Më mirë të të rrahë yti, sesa të të puthë i huaji. fj. u.
    3. Ai që është nga një vend a nga një shtet tjetër, pjesëtar i një popullsie tjetër, ai që nuk është shtetas ose i atij vendi ku ndodhet. Një grup të huajsh. Të huajt për vendin tonë. Na shkruajnë të huajt.
    IIImb.
    1. Që është pronë e një tjetri, që i përket dikujt tjetër; që është bërë nga dikush tjetër. Gjë (plaçkë) e huaj. Sende të huaja. Mall i huaj. Tokë (arë, kullotë) e huaj. Kalë i huaj. Shtëpi e huaj. Shkrim i huaj. Dora e huaj s'di të kruajë. fj. u.
    2. Që ka lindur nga një tjetër, që është pjellë e dikujt tjetër, që nuk është i barkut tim. Fëmijë (djalë) i huaj. Vajzë e huaj.
    3. Që është jashtë rrethit familjar ose miqësor, që nuk bën pjesë në këtë rreth dhe që nuk e afron gjë me të; që nuk ka të bëjë fare me një grup njerëzish, të cilët punojnë a janë të lidhur bashkë, që është i jashtëm për ta. Njeri i huaj për ne. Ndalohet hyrja për njerëzit e huaj.
    4. Që është nga një vend a nga një shtet tjetër, që është pjesëtar i një popullsie tjetër; që është jashtë vendit tonë; që i përket një vendi a një popullsie tjetër; që është bërë jashtë, që nuk është i vendit; që është marrë nga një gjuhë tjetër, i huazuar. Shtetas i huaj. Turistë të huaj. Vendet e huaja. Sunduesit (pushtuesit) e huaj. Zgjedha e huaj. Sundimi i huaj. Gjuhë e huaj. Fjalë të huaja. Valle e huaj. Zakonet e huaja. Shtypi i huaj. Letërsia e huaj. Valuta e huaj. Kapitali i huaj.
    5. Që është i panjohur për të tjerët, që nuk dihet prej tyre; që nuk është i zakonshëm. Njeri i huaj. I tingëlloi si një zë i huaj. Për të gjithçka ishte e huaj.
    6. fig. Që nuk është i afërt e i përzemërt si zakonisht, që nuk është i ngrohtë; që qëndron larg të tjerëve, që nuk afrohet me ta; i ftohtë. Vështrim i huaj. Sillej i huaj me të.
    7. fig. Që i kundërvihet frymës sonë nga përmbajtja e nga idetë ose që është larg saj, që nuk ka të bëjë fare me pikëpamjet dhe mendimet tona, që është në kundërshtim me idetë e marksizmit dhe pengon zhvillimin e shoqërisë. Shfaqjet e huaja. Qëndrim i huaj. Sjellje e huaj. Konceptet e huaja në ndërgjegjen e njerëzve. Kjo është e huaj për ne.
    8. Që është bërë me diçka tjetër, që ka veti krejt të tjera; që sjell dëm dhe shkatërron bimët përreth. Përzierje e huaj. Pastroj arin nga bimët e huaja.
    9. Përd. em. f. sipas kuptimeve 3,7 të mbiemrit. Kombëtarja dhe e huaja.

      Shprehje

      • Në derë të huaj në shtëpinë e tjetrit, jo në familjen e vet a tek të afërmit. Me xhepin e huaj me paratë a me shpenzimet e një tjetri. Hyri në livadh të huaj shih te LIVADH,~I. Kryeplak në fshat të huaj shih te KRYEPLAK,~U. Miell nga thesi i huaj (i botës) iron. shih te MIELL,~I. Kali i huaj (i botës) të lë në mes të udhës fj. u. shih te KAL/Ë,~I. Mish i huaj a) mjek. tumor që zhvillohet në pjesët e sëmura të organizmit; b) fig. diçka ose dikush që nuk pajtohet me mjedisin ku është dhe që pengon punën ose zhvillimin e përgjithshëm. Trup i huaj a) mjek. diçka që ka hyrë në organizëm nga mjedisi i jashtëm dhe ka zënë vend në indet, në organet ose në zgavrat e trupit; b) fig. mish i huaj.