Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    KOPJOJ

    kal.
    1. Riprodhoj në mënyrë të përpiktë me dorë a me mjete të ndryshme teknike, një dorëshkrim, një shkresë, një dokument, një vepër arti, një film, një fotografi etj. duke u mbështetur plotësisht në origjinalin; nxjerr në disa kopje. Kopjoj dorëshkrimin (dokumentin, shkresën). Kopjoj pikturën. Kopjoj vizatimin (skicën). Kopjoj me dorë (me makinë). Kopjoj detyrat nga dërrasa e zezë.
    2. Marr fshehurazi një mësim nga libri a nga fletorja ose nga një shok dhe e riprodhoj pothuajse pa ndryshime në detyrën me shkrim (kur bëhet provim në shkollë); riprodhoj pa asnjë ndryshim ose duke bërë ndryshime shumë të vogla veprën a mendimet e dikujt tjetër; marr punën e një tjetri dhe e paraqit si timen. Ka kopjuar artikullin (veprën, librin). Nuk kopjon në provim.
    3. Bëj pikë për pikë si një tjetër, sillem, veproj, vishem etj. si ai. Kopjon të motrën (të vëllanë). Kopjonte shoqen (shokun).