LAK
m. sh.
- Leqe(t) 1. rrethi që bëhet kur shkojmë në shtjekëz njërën anë të një litari, të një filli a të një teli; litari a filli me këtë lidhje, që shërben për të kapur kafshë të egra a shpendë ose për të lidhur diçka: lak lepuri (dhelprash, zogjsh); e zuri (e kapi) me lak; / kryes. sh. pjesë e litarit të samarit, e lidhur hark; litar për të lidhur një kafshë: leqet e samarit; ia zgjidhi lakun. 2. fig. gjendje e vështirë, e krijuar me dredhi për të dëmtuar a për të asgjësuar dikë; kurth: ra në lak; e shtiu (e futi) në lak. 3. diçka si hark ose si vijë e përkulur; pjesa ku përkulet diçka; kthesë, bërryl: laku i kularit; laku i fytit; laku i hënës; laku i rrugës (i lumit); laku i malit qafë mali e harkuar: udhë me shumë leqe; leqet e hajatit qemerët e përkulur të hajatit; lak bore borë e grumbulluar si hark; laku i lahutës harku i lahutës; leqet e këmbëve gilcat; leqet e gishtave nyjat e gishtave; pjesët ku përkulet gishti.
Shprehje
- I bën (i jep) lak (diçkaje) i shmanget a i dredhon, i bën bisht; nuk i bën lak fjalës e mban fjalën, e bën atë që thotë; m'u bë lak në fyt (në grykë) m'u bë një lëmsh nga ngashërimi, nga hidhërimi etj.; m'u bë nyjë; i dridhen leqet e këmbëve i dridhen gjunjët; është me lak në qafë është me litar në grykë; flet pa leqe flet drejt, nuk dredhon; nuk i shtrembëron gjërat, thotë të vërtetën; i hodhi (i vuri) lakun (litarin) në fyt (në grykë, në qafë) (dikujt) e zuri shumë ngushtë, e detyroi të bëjë një gjë me zor dhe shpejt; është njeri pa leqe është njeri i drejtë e i çiltër; e kishte lakun (litarin, thikën) në grykë (në fyt) ishte në gjendje shumë të vështirë; ishte shumë ngushtë; me lak e me gjak me shumë mundime e me vuajtje të mëdha; e lanë (e lëshuan) leqet e këmbëve nuk mbahet dot më në këmbë (nga një sëmundje a nga pleqëria); / i hyri frikë e madhe, filloi të dridhej nga frika; i preu (i këputi) lakun (dikujt) e shpëtoi nga një gjendje e vështirë, e shpëtoi nga një hall i madh; më shkon lak më shkon ters, s'më vete mbarë; ia shtrëngoi lakun (dikujt) ia mblodhi keq, e detyroi të bëjë si thotë ai; ia mblodhi rripat; më vjen lak më përzihet, më vjen për të vjellë.