LËSHOJ
kal.
- E lë të bjerë nga lart poshtë, të varet lirisht ose të mbështetet mbi diçka; e ul, e vë në një vend a e hedh përtokë; e lë: lëshoj gurin nga lart; e lëshoj në lumë (në det); e lëshoi nga duart; i lëshoj flokët mbi supe; e lëshoi lisin (pemën) përtokë e preu; kali i huaj të lëshon në ujë (fj. u.).
- E lë të lirë; e lë të ikë, të lëvizë, të rrjedhë etj.; nuk e mbaj më; ia heq pengesën: e lëshoi zogun; lëshoi bagëtinë (qenin nga zinxhiri); e lëshoi gruan (burrin) (bised.) e la, e ndau; i lëshoj ujin arës; lëshoi rrymën elektrike.
- E lë të lirë diçka që ka qenë e zënë; ia jap diçka një tjetri; e lë një vend që ta zërë një tjetër; heq dorë: i lëshoi udhë (dikujt); nuk e lëshuan kështjellën (qytetin); s'e lëshonte më lirë (bised.) nuk e shiste më lirë diçka.
- E vë në lëvizje diçka që të punojë; e vë në punë për herë të parë: e lëshoi motorin.
- v. III bised. (me trajtë të shkurtër përemërore) më lë, më largohet, s'më mban më (për një sëmundje, për një dhembje etj.):. më lëshoi ngërçi; e lëshuan ethet; më lëshoi koka (dhëmballa) nuk kam më dhembje.
- kryes. v. III, edhe fig., nxjerr diçka nga vetja; e nxjerr dhe e përhap rrotull; çel; krijon; lë: lëshoi lëng; më lëshojnë sytë lot; lëshon tym (erë të mirë, tinguj të hollë); lëshoi lule (rrënjë); ka lëshuar bark (gushë) është shëndoshur shumë; lëshoi vrer volli vrer.
- Edhe fig. e hedh diçka a e nis dikë me vrull diku, e drejtoj në një pikë; ia çoj, ia drejtoj: lëshoi një raketë; i lëshoi dritën (diçkaje); i lëshoi një të sharë.
- v. III (me trajtë të shkurtër përemërore), edhe fig., bised. nuk më punon më një pjesë e trupit, s'kam më fuqi ose aftësi, më lë, më bie: më lëshuan këmbët; më lëshuan fuqitë; e lëshoi kujtesa.
- jokal. v. III bised. luzmon: lëshoi bleta.
- jokal. Bëj lëshime për diçka: s'është nga ata që lëshojnë.