LUGË
f. sh.
- Përdorëse me një kupë të vogël e me bisht të gjatë, për të ngrënë gjellë etj.; sasia sa nxë një përdorëse e tillë: lugë gjelle (ëmbëlsire); lugë e madhe lugan, garuzhdë; një lugë sheqer (kafe, reçel, mjaltë); një lugë (një majë luge) fare pak, shumë pak; vjeshtë e lugë kur nis të ftohet moti, duhet ngrënë mirë; luga e madhe të shqyen gojën (fj. u.) kush lakmon shumë, e pëson; atje ku bëhet dasmë e madhe, merr lugë të vogël! (fj. u ); nuk thahet deti me lugë (fj. u.); e di luga se ç'ka vorba (vegshi, poçja) (fj. u.) e di i zoti ku i pikon çatia.
- Vegël e metaltë, me një pjesë si kupë a si lopatëz dhe me bisht ose me një zgjatim, që përdoret për të marrë diçka, për të përzier etj.: lugë pastruese (tek.); lugë shpimi (tek.); lugë shënimi (usht.); lugë lulesh lopatë e vogël për të shkrifëruar dheun e luleve; lugë këpucësh mbathës; lugë thëngjijsh kaci zjarri; lugë llaçi mistri.
Shprehje
- (Është bërë) si lugë çervishi fut hundët në çdo punë, përzihet kudo; i ra me lugë të madhe (diçkaje) e harxhoi pa kursyer fare; u tregua tepër dorëlirë; i ra luga në qumësht (dikujt) i shkojnë punët mbarë, jeton mirë e pa vështirësi; doli lugë e larë doli i pafajshëm e i papërlyer; ia di lugët e pirunët (sa lugë ka në shtëpi) (dikujt) di gjithçka për të, ia njoh mirë edhe gjërat e imëta të shtëpisë; i njoh dhëmbë e dhëmballë; i fryn lugës së vet shikon punën e tij e nuk përzihet në çështjet e të tjerëve; e gjeti lugën në pilaf keq. e gjeti gati çdo gjë, e gjeti shtruar; kam ngrënë me një lugë (me dikë) e kam pasur shok a mik të ngushtë; e njoh shumë mirë; hante me lugë të florinjtë ishte në gjendje shumë të mirë, s'i mungonte asgjë, bënte jetë përrallore; (hyn, futet) si luga në pilaf keq. merr pjesë menjëherë në diçka; ndërhyn edhe atje ku nuk i takon, fut hundët; (është) lugë e larë s'ka asnjë mjet jetese, s'ka gjë prej gjëje; është shumë i varfër; (është) lugë për vegsh është njeriu më i përshtatshëm për të bërë diçka; është pikërisht ai që duhet; s'ka lugë (për dikë) nuk i japin pjesën që i takon, e lënë pa gjë; kërkon të hajë me dy lugë keq. kërkon të përfitojë nga të dy krahët, përpiqet të nxjerrë përfitime për vete duke e pasur mirë me të dyja palët; kërkon të hajë me lugë të madhe keq. kërkon të përfitojë më shumë nga sa i takon; është lakmitar; (është) me lugë në brez keq. (është) i gatshëm për të ngrënë a për të përfituar kudo e kurdoherë në kurriz të të tjerëve, qelepirxhi; me lugë të kon, me bisht të verbon keq. është njeri me dy faqe, në sy të ndihmon e pas krahëve të dëmton; s'i mori luga gjë tall. s'i eci mbarë puna, nuk i vajti mirë, s'i mori lopata ujë; i mbeti luga në pilaf iron. u turpërua, mbeti me turp; i mbeti luga në qull iron. nuk i eci fjala, nuk ia vunë veshin; (mbeti) me lugë të zbrazët (bosh) mbeti fare pa gjë; s'ka ç'të hajë; ngopet me lugë të zbrazët (bosh) mashtrohet shpejt, u beson lehtë fjalëve a premtimeve; iu njom luga (dikujt) u mëkëmb pak nga gjendja ekonomike, e mori pak veten; s'i thahet luga s'mbetet pa ngrënë; gjen kurdoherë diçka për të mbajtur veten e fëmijët; ia thau lugën (dikujt) ia hoqi bukën e gojës; i zuri luga ujë u mëkëmb pak nga gjendja ekonomike, iu njom luga; (u zunë, u prishën) për një lugë çorbë u zunë për diçka fare të vogël, u prishën për dy para spec.