NJËRI
pakuf.
- Vetëm një nga të dy ose nga të dyja; vetëm një nga disa (kur një qenie, një send etj. e veçojmë nga një tjetër ose nga të tjerë të të njëjtit lloj). Njëri nga të dy. Njëra nga të dyja. Njëri nga djemtë. Njëra nga vajzat. Njëri pas tjetrit. Herë njëri, herë tjetri. Ngri njërën këmbë! Mbyll njërin sy. Nga njëra anë. Në njërën anë. Njëri erdhi, tjetri s`ka ardhur. Njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën. fj. u. bised.
- Një njeri i papërcaktuar, një, dikush. Ma tregoi njëri. E dëgjova nga njëri. Erdhi njëri e të kërkonte. Ia tha njërit.
- Përdoret kur kundërvëmë ose kur krahasojmë njerëz, qenie, sende a dukuri (në bashkëvajtje me tjetri). Njëri më i mirë se tjetri. Njëra më e bukur se tjetra. Si njëri tjetri të dy (të gjithë) njësoj. Ndryshe njëri, ndryshe tjetri.
Shprehje
- Bëri njërën a) bëri të gjitha përpjekjet, pa marrë parasysh asgjë, për të arritur atë që donte ose për të mos pranuar diçka të padrejtë; b) bëri shumë zhurmë për diçka që nuk i pëlqente.