NJOM
kal.
- Shtie diçka në ujë a në një lëng tjetër me qëllim që të zbutet, të bëhet e lagët ose të fitojë ndonjë veti tjetër të nevojshme. Njom bukën. Njom rrobat. Njom shollën. Njom farin. Njom lirin. Njom kashtën. Njom litarët.
- Lag pak, hedh pak ujë mbi dikë a mbi diçka, spërkat me ujë a me ndonjë lëng tjetër; kund. thaj. Njom peshqirin. Njom rrobat para se t`i hekuros. Njom duhanin para se ta grij. Na njomi shiu. E njomi me lot (shaminë, tokën, bukën).
- bised. Ujit pak. Njom lulet. Njom bostanin. Njom arën.
- Ngjyej në një lëng për të thithur një pjesë të tij. Njomi furçën në bojë. E njomi pambukun në alkool. E njom kafshatën (bukën) me qumësht.
- Pi fare pak (ujë a ndonjë pije); ha fare pak (zakonisht pemë). Hëngri (piu) sa për të njomur gojën (buzët). E njomi fytin (grykën, gurmazin).
Shprehje
- E njomi zorrën a) e shoi urinë, hëngri mirë (për dikë që ka jetuar në varfëri të madhe ose për dikë që ka një kohë të gjatë pa ngrënë); b) u mëkëmb nga ana ekonomike, nuk vuan më për bukën e gojës, e mori veten (për dikë që më përpara ishte shumë i varfër). Ia njomi (ia lagu) dorën dikujt a) i dha një ryshfet të vogël a një bakshish; b) vjet. i dha lëmoshë. Ia njomi udhën dikujt ia lehtësoi jetesën e punën.