PESHK
m. sh.
- zool. Kafshë kurrizore uji, me trup shpatuk a të zgjatur si bosht, zakonisht e mbuluar me luspa, që merr frymë me anë të verzave: peshk deti (liqeni, lumi); halë peshku; zë peshk; peshku në det, tigani në zjarr (fj. u., iron.) një punë ende s'është kryer, kurse dikush kërkon para kohe të gëzojë të mirat e saj; peshku i madh e ha të voglin (fj. u.) fiton më i forti edhe kur e drejta është nga ana e më të dobëtit.
- zool. Gjymtyrë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje peshqish: peshk elektrik peshk deti i pajisur me organe të posaçme që lëshojnë ngarkesa elektrike; peshk fluturues (fluturak) dallëndyshe deti; peshk guri peshk i vogël deti, që jeton në thellësi, zakonisht nën gurë; peshk kavall peshk me trupin si ngjalë, që ka pesë deri shtatë vrima në të dyja anët e trupit fill pas kokës; peshk pëllumb peshk deti grabitqar i familjes së peshkaqenëve, pa brinjë kërcore; peshk sharrë peshk deti që ka përpara disa zgjatime me dhëmbëza si sharrë; peshk shpatë peshk deti me trup petak e të gjatë si shpatë.
- sh. I shquar astrol. një nga dymbëdhjetë yllësitë e zodiakut; shenjë e horoskopit për të lindurit nga 19 shkurti deri më 20 mars.
- bised. Shtylla kurrizore: peshku i kurrizit.
Shprehje
- (Mbeti) si peshku në zall (në gjanë, pa ujë) (mbeti) pa mjete jetese a në ngushticë të madhe, (mbeti) pa gjë fare; ta pjek peshkun në buzë të mundon shumë, ta nxjerr shpirtin derisa ta mbaron një punë; na turbulloi peshku ujët na u prish puna, s'na la të qetë në një punë; zë peshk në bar është i zoti e i shkathët, bën të pamundurën.