PLASTIK
mb.
- Që është bërë prej plastike. Lëndë plastike. Masë plastike. Fije plastike. Gotë plastike. Këpucë (sandale) plastike. Thasë plastikë.
- Që ka vetitë e kësaj lënde, që mund të marrë formën e dëshiruar dhe ta ruajë atë pasi të jetë përpunuar me ngrohje a me shtypje; që mund të epet. Veti plastike. Material plastik. Përpunim plastik mënyrë pune, me të cilën i jepet forma e dëshiruar metalit, llamarinës etj., ashtu sikurse edhe plastikës. Dylli (plumbi) është plastik.
- mjek. Që bëhet në lëkurë ose në nënlëkurë me pjesë të hequra nga një vend tjetër për të rregulluar a zbukuruar pamjen e jashtme. Operacion plastik.
- art. Që ka të bëjë me skulpturën; i plastikës. Arti plastik. Punime plastike.
- fig. Që shquhet për lëvizje të bukura, të gjalla e ritmike; i shkathët, i zhdërvjellët, i lakueshëm. Valle (lëvizje) plastike. Gjuhë plastike. Është plastik.
- libr. Që e ka trupin të derdhur, i hijshëm e i bukur. Bukuri plastike. Figurë plastike.
Shprehje
- Vetia plastike e trurit psikol. Aftësia që ka truri i njeriut të ruajë përshtypjet a gjurmët e veprimit të ngacmuesve të jashtëm.