Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    RRJEDH

    jokal.
    1. v. III ecën duke rrëshqitur mbi një sipërfaqe (për ujin dhe lëngjet e tjera); kalon nëpër një vend, përshkon (për lumenjtë a përrenjtë); del e rrëshqet (për lotët, gjakun etj.): rrjedh lumi i qetë; burim që rrjedh nën tokë; Drini rrjedh nëpër Shqipërinë Lindore e Veriore; rrjedh gjaku në damarë; i rridhte djersa çurkë.
    2. Nuk e mban ujin, një lëng etj.; pikon: rrjedh kova; rrjedh çatia; i rrjedhin sytë i lotojnë sytë.
    3. v. III fig. kalon shpejt ose pa u ndier, rrëshqet (për kohën, për jetën); ngjet, ndodh, bëhet (një ngjarje etj.): rrjedhin ditët (muajt, vitet); si rrodhën ngjarjet (punët)?
    4. v. III fig. kalon a shtjellohet pa ndërprerje dhe lirisht (për fjalët, për mendimet etj.): biseda rridhte qetë-qetë; i rrjedh goja flet lirisht.
    5. fig. E kam prejardhjen nga një familje, nga një fis, nga një popull, nga një mjedis i caktuar etj.; v. III e ka prejardhjen a vjen prej diçkaje; edhe fig., vjen si pasojë e diçkaje, buron; del: shqiptarët rrjedhin nga ilirët; detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja; nga ajo rrodhën të gjitha të këqijat.
    6. fig. Vërshoj: rrodhi i gjithë fshati.
    7. fig. Humbet pak nga pak (një lëndë e parë, një mall etj. gjatë punës, gjatë qarkullimit etj.).
    8. fig. bised. mospërf. Matufosem: ka rrjedhur në pleqëri.