Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHKRIJ

    kal.
    1. Bëj që një trup të kalojë nga gjendja e ngurtë në gjendje të lëngët duke e ngrohur ose duke e nxehur, tret; jokal. vet. veta III kalon nga gjendja e ngurtë në gjendje të lëngët nën veprimin e ngrohtësisë; kund. ngrin. E shkriu dielli akullin. Shkrij dyllin (gjalpin, dhjamin, metalet). Shkriu dëbora maleve. Shkriu akulli. Hekuri shkrin në 1510 gradë Celsius.
    2. jokal. fig. Kulloj krejt nga të nxehtët, djersij shumë nga vapa. Shkrimë këtu, qenka vapë e madhe.
    3. edhe fig. Bashkoj dy a më shumë gjëra në një gjë të vetme. Shkrij dy ndërmarrje (dy sektorë, dy institute, dy drejtori) në një. Shkrij dy kapituj në një. Shkrij në një mësimin dhe edukimin.
    4. fig. I jap fund qenies e veprimtarisë së një organizate, të një institucioni a të një organizmi tjetër. Shkrij një komision (një grup pune). Shkrij një organizatë (një ndërmarrje, një institut).
    5. fig. E harxhoj të gjithë deri në fund, derdh; tret, shkapërderdh; e jap të gjithë pa asnjë kursim. I shkriu të gjitha të hollat (kursimet). Shkriu tërë gjënë e mallin (pasurinë). Shkriu jetën për atdheun punoi me mish e me shpirt gjatë gjithë jetës për atdheun. Shkrinë të gjitha forcat (dituritë). Shkrinë gjithë mjeshtërinë e tyre.
    6. Shkrif, shkrydh, shpij (për trupin e pjesët e tij). Shkrij trupin pranë zjarrit. Ky diell të shkrin kockat.
    7. jokal. fig. bised. Më del frika, çlirohem nga një ankth a nga një shqetësim i madh, më vete zemra në vend; qetësohem. Kur ia tha, shkriu. I shkriu zemra (gjaku).
    8. fig. bised. E bëj dikë të qeshë me të madhe. Na shkriu në gaz. Na shkrive fare! (edhe iron.).
    9. fig. bised. E bëj diçka shumë të mirë a të përsosur, duke përdorur gjithë mjeshtërinë e aftësitë që kam, e bëj për merak, e qaj (zakonisht për gatesa). E paska shkrirë këtë lakror (bakllava). E ka shkrirë fare.

      Shprehje

      • Shkriu akulli shih tek AKULL,~I. Shkriu (humbi, u zhduk) si vesa e mëngjesit (si vesa në diell) shih te VES/Ë,~A.