Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHTRESË

    f. sh.
    1. kryes. sh. Dyshek a rrobë tjetër që shtrojmë poshtë për të fjetur; qilim, shkorsë a diçka tjetër që shtrojmë për të ndenjur a për të zbukuruar dhomën. Shtresa e mbulesa. Ngre (shkund) shtresat.
    2. Kashtë, gjethe, fier etj. që u shtrohet bagëtive për të ndenjur ngrohtë e pastër dhe për të shtuar plehun; shtrojë. U vë shtresë lopëve.
    3. Lëndë e shtrirë, me sipërfaqe të gjerë dhe me trashësi të ndryshme, që është e shtruar mbi diçka, mbulon diçka, është si pjesë e diçkaje ose qëndron midis dy sipërfaqesh, duke u puqur me të. Shtresë e hollë (e trashë). Shtresë e butë (e fortë). Shtresa e parë (e dytë, e tretë ...). Shtresa e sipërme (e poshtme). Shtresa e brendshme (e jashtme, e mesme). Shtresat e larta të atmosferës. Shtresa e sipërme e rrugës. Shtresa pjellore e tokës. Shtresë bore (akulli). Shtresë pluhuri. Shtresë metali (ari, argjendi, gome). Shtresë betoni (suvaje). Shtresë dheu (plehu, rëre, zhavorri, gurësh, druri). Shtresë dylli. Shtresë gjalpi (dhjami, kremi). Shtresa e bojës (e gëlqeres).
    4. gjeol. Masë shkëmbi, minerali a lënde tjetër, me përbërje pak a shumë të njëjtë e me trashësi të ndryshme, që shtrihet si një brez i gjerë ndërmjet lëndësh të tjera në koren e tokës. Shtresë gjeologjike. Shtresë e pjerrët (horizontale). Shtresa të pasura. Shtresa hekuri (gjipsi, qymyri). U zbuluan shtresa të reja.
    5. Pjesë e një klase shoqërore ose grup njerëzish me gjendje shoqërore të njëjtë, që kanë po atë nivel jetese e shkallë kulture dhe pikëpamje politike e ideologjike pak a shumë të njëjta; grup shoqëror. Shtresë shoqërore. Shtresat e gjera të popullit. Shtresat e ulëta (e larta). Shtresë e varfër (e mesme, e pasur). Shtresë e privilegjuar. Njeri i shtresës. bised. njeri me prejardhje nga shtresat e varfra të shoqërisë shqiptare përpara Çlirimit, që u lidhën me Luftën Nacional-çlirimtare dhe me pushtetin popullor.
    6. arkeol. Brez toke në thellësi, që përmban sende të një periudhe të caktuar historike. Shtresë kulturore. Shtresë homogjene (e përzier).
    7. gjuh. Grup fjalësh në përbërjen e fjalorit të një gjuhe a të disa gjuhëve, që kanë veçori të përbashkëta stilistike, prejardhje të njëjtë etj. Shtresë leksikore (stilistike). Shtresa indoevropiane.