Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHTYLLË

    f. sh.
    1. Trung druri, guri, metali a betoni, i gjatë, i drejtë e i plotë, i vendosur me këmbë a i ngulur pingul në tokë, që shërben në ndërtime dhe për të mbajtur diçka të rëndë. Shtyllë e lartë (e trashë). Shtyllë e centrifuguar. Shtyllë druri (betoni, hekuri). Shtyllat e telefonit (e tensionit të lartë). Shtyllat e tezgjahut. Shtylla për minierat trarë që shërbejnë për të mbrojtur galeritë e minierave nga shembjet. Ngul (vendos, ngre) shtylla. Nuk mbahet shtëpia me një shtyllë. fj. u.
    2. arkit. Trung i lartë prej guri a prej mermeri, me trajta e përmasa të ndryshme, që shërben për të mbajtur pjesë të veçanta të një ndërtese ose për zbukurimin e saj; përmendore në këtë trajtë, që ngrihet për të përkujtuar një figurë a një ngjarje historike. Shtyllë e rrumbullakët (katërkëndëshe). Shtyllë e zbukuruar (me zbukurime). Shtyllë mermeri. Portik me shtylla.
    3. sport. Secili nga tre trarët e portës në lojën e futbollit. Shtylla pingule (horizontale). Gjuajtje mbi shtyllë. Rrahu shtyllën.
    4. fiz. Lëndë e lëngët a e gaztë që lëviz lart e poshtë në një gyp të vendosur pingul. Shtylla e zhivës (e termometrit). Shtyllë uji.
    5. Secila prej ndarjeve për së gjati në faqen e një gazete, të një reviste a të një libri. Shtylla e parë (e dytë, e majtë, e djathtë). Shtylla të ngushta (të gjera). Shtyllat e gazetës (e fjalorit). Faqe me gjashtë shtylla. Artikull me katër shtylla.
    6. Secila prej nënndarjeve për së gjati në një regjistër etj., në të cilat shënohen të dhëna të veçanta; radhë fjalësh, shifrash etj., të vendosura njëra nën tjetrën. Shtylla e emrit dhe e mbiemrit. Shtylla e moshës (e datëlindjes). Shtylla e mesatares. Shtylla e të hyrave (e të dalave). Shtyllë numrash. Katër shtylla me emra (me nënshkrime). E ndaj faqen në gjashtë shtylla.
    7. tek. Pajisje prej metali ose prej xhami, si cilindër i gjatë, që përdoret në industrinë kimike për distilimin e lëndëve të ndryshme, për filtrimin e tyre etj. Shtyllë distilimi (dendësimi). Shtyllë me pjata.
    8. Tym, pluhur, avull etj. që vërtitet nga era ose që ngrihet drejt përpjetë, shtjellë tymi, pluhuri etj. Shtyllë tymi (pluhuri, avulli). Shtyllë hiri (në vullkanet).
    9. fig. Ai që mban barrën më të madhe në një punë, ai që është mbështetja kryesore e diçkaje, ai që luan rolin kryesor në familje, në një grup, në një shoqëri etj. Shtylla e shtëpisë (e familjes, e konakut). Shtylla e skuadrës. Shtylla e demokracisë. Shtylla e reaksionit.
    10. përd. mb. fig. I fortë, i qëndrueshëm, i patundur. Është shtyllë. Qëndron shtyllë e s`bëhet urë.

      Shprehje

      • Shtyllë çeliku i pathyeshëm e i patundur, që u bën ballë rrebesheve. E mbërthyen (e gozhduan, e vunë) dikë në shtyllën e turpit libr. e damkosën me turp. Shtylla kurrizore a) anat. vargu i kockave a i kërceve si unaza që shkon përmes shpinës së njeriut e të shumë kafshëve dhe që është pjesë kryesore e skeletit; b) fig. themeli i diçkaje, mbështetja kryesore.