Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    VARG

    m. sh.
    1. Radhë sendesh të një lloji, që janë shkuar në pe, në tel etj. ose që janë lidhur a gërshetuar njëri me tjetrin. Varg duhani. Një varg rruazash. Varg qepësh (hudhrash). Vargje me fiq. Shkoj (duhanin) në varg.
    2. Zinxhir. Vargu i sahatit. Vargu i zjarrit vargoni.
    3. Grup sendesh të një lloji, që janë vendosur njëri pas tjetrit në një radhë; radhë njerëzish, kafshësh etj., që lëvizin a që ecin në të njëjtin drejtim e zakonisht për një. Varg i pafund. Vargu i njerëzve. Vargu i shtëpive. Vargu i makinave. Vargu i patave. Vargu i maleve. Varg shkëmbinjsh.
    4. kryes. nj. fig.:Një radhë gjërash a ngjarjesh që vijnë njëra pas tjetrës në mënyrë të pandërprerë. Varg aksionesh. Varg fitoresh. Në vargun e sukseseve. Varg fjalësh (mendimesh). Në vargun e viteve. Në vargun e ngjarjeve.
    5. let. Njësi poetike, që përbëhet prej fjalësh e fjalish të shkruara në një radhë dhe që ka një ritëm e një numër të caktuar rrokjesh; vet. sh. Vjershë, poezi. Varg i bardhë vargu që nuk ka rimë me ndonjë varg tjetër. Varg i dyzuar dy lloje vargjesh të lidhura në një varg të vetëm. Varg heroik varg në metrikën e lashtë që ka dhjetë rrokje e pesë theksa dhe që rimon me vargun vijues. Varg i lirë lloj vargu që nuk ka një numër të caktuar rrokjesh, theksash ritmikë e pauzash ose nuk formon strofa me rima, sipas skemave tradicionale të metrikës. Varg pesërrokësh. Varg i përzier. Varg i thyer varg që për arsye theksimi, intonacioni etj. copëzohet a shkruhet i ndarë. Strofë me katër vargje. Roman në vargje. Shkruan (thur) vargje.
    6. spec. Tërësi madhësish të vendosura në një radhë të caktuar; grup bashkimesh kimike që kanë një lidhje të caktuar me njëri-tjetrin. Varg gjeometrik. Varg numerik. Varg natyror. Varg radioaktiv. Vargu i numrave. Vargu i uranit.
    7. edhe-fig. Numër i madh, sasi e madhe qeniesh, gjërash a dukurish që vijnë njëra pas tjetrës, ose që formojnë një grup; disa. Një varg shokësh e shoqesh e tejkaluan planin mbi 30%. Një varg bimësh nuk e durojë thatësirën. Kishte një varg të metash (dobësish). Paraqiti një varg kërkesash. Ngriti një varg çështjesh. Bëri një varg pyetjesh. Ka shkruar një varg veprash. Janë marrë një varg masash.
    8. përd. ndajf. Një pas një, njëri pas tjetrit, në radhë, në rresht për një. Shkonin (vinin) varg. Ishin varg. Hynë varg. Lidhen varg. U bënë varg.

      Shprehje

      • Varg e varg një pas një, njëri pas tjetrit, me radhë, zinxhir. Varg pas vargu një pas një, njëri pas tjetrit. Varg e vijë një pas një, njëri pas tjetrit, varg e vistër. Varg e vistër një pas një, njëri pas tjetrit, me radhë e pandërprere.