VULË
f. sh.
- Mjet i vogël zyre, ku është gdhendur emri a ndonjë shenjë tjetër e një institucioni, e një partie etj., që ngjyhet me bojë dhe vihet mbi shkresat për të dëshmuar vërtetësinë e tyre; pajisje e tillë për të bërë shenjë në dyll, në plumb etj.; shenja që lë ky mjet: vulë zyrtare; vulë postare; vulë e thatë vulë që nuk ngjyhet në bojë, por lë shenjë me anë të trysnisë; vula e ministrisë (e shkollës); vë vulën.
- Pullë a shenjë në trupin e kafshës; vurratë, damkë: dhi me vulë të bardhë; i mbeti një vulë në krah; u vunë vulë drurëve që do të priten.
- fig. Gjurmë a shenjë që tregon tiparet thelbësore të dikujt a të diçkaje; keq. damkë, njollë: ruan (ka) vulën e kohës; i vunë vulën e tradhtisë; i mbeti vulë; është njeri me vulë njihet nga të gjithë për diçka, zakonisht jo të mirë, është me damkë.
Shprehje
- E humbi vulën u hutua, e humbi toruan; i humbi vula (dikujt) u zhduk pa lënë gjurmë, s'i gjendet as nami, as nishani; nuk i shkon vula nuk e dëgjojnë të tjerët, nuk i shkon fjala; i vuri vulën (diçkaje) e plotësoi me diçka që i mungonte; i vuri kapakun; e miratoi përfundimisht; e vulosi.