Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    EDHE II

    lidh.
    1. Përdoret për të lidhur dy gjymtyrë fjalie të një fare ose dy fjali të bashkërenditura këpujore a shtuese; e, edhe. Nxënësit edhe mësuesit. Punojmë edhe mësojmë. Lexoj edhe dëgjoj. Ia them edhe s'ia them. E bën edhe s'e bën.
    2. Gjithashtu, po ashtu, ashtu dhe. Si bleta edhe mjalti. fj. u. Sipas vendit edhe kuvendi. fj. u.
    3. Përdoret për të lidhur dy fjalë a dy trajta të së njëjtës fjalë në togje me bashkërenditje që tregojnë përsëritje ose vijimësi veprimi a gjendjeje, që shprehin përforcim etj.; e, dhe. Vetëm edhe vetëm. Mirë edhe më mirë. Keq edhe më keq.
    4. Përdoret e përsëritur për të lidhur dy gjymtyrë fjalie a dy fjali të një fare shtuese a kundërshtuese; hem...hem. Edhe i aftë, edhe i ndershëm. Edhe sot, edhe nesër. Edhe për të sotmen, edhe për të ardhshmen. Edhe në shkollë, edhe në jetë. Edhe për verë, edhe për dimër. Edhe qeros, edhe fodull. fj. u. Edhe mishi të piqet, edhe helli të mos digjet. fj. u. Edhe të qorton edhe të do.
    5. Përdoret përpara një vargu gjymtyrësh fjalie të një fare ose para fjalish të së njëjtës farë, kur ato numërohen me radhë njëra pas tjetrës. I mori të gjithë me vete — edhe djalin, edhe çupat, edhe nënën, edhe gjyshin. Është e domosdoshme edhe të punohet toka thellë, edhe të thërrmohen plisat, edhe të hapen vijat kulluese, edhe të hidhet fora me kohë.
    6. Përdoret në fillim të një fjalie që plotëson, zhvillon e sqaron një mendim të shprehur nga një fjali tjetër para saj. Mjeku i ka thënë të mos pijë me duhan, por ai s`e ka lënë. Edhe pastaj ankohet. Dolën të gjithë në fushë, gra e burra. Edhe pleqtë. Jemi gati të japim gjithçka për Atdheun. Edhe jetën.
    7. përd. kallëzues. mat. Shtojmë (kur mbledhim një numër me një tjetër). Dhjetë edhe dy. Katër edhe katër bëjnë tetë.
    8. si em. ~, ~JA f. sh. ~, ~TË mat. Shenja e mbledhjes (+); plus.