FRYRË
If. sh.
- Vend i fryrë si bullungë në trupin e një frymori a të një bime, e ënjtur; plagë e ënjtur në trup, që është shkaktuar nga një goditje ose nga ndonjë sëmundje, bullungë. Ka një të fryrë në dorë.
IImb.
- Që është mbushur brenda me shumë ajër; kund. i shfryrë. Top i fryrë. Gomë (rrotë) e fryrë.
- I mbufatur; i ënjtur: Me ballë të fryrë. Me sy të fryrë.
- bised. I ngopur mirë, i ngjeshur me të ngrëna. Me barkë të fryrë. Është i fryrë, s'ha dot më.
- I bymyer a i mbufatur nga uji ose nga ndonjë lëng tjetër. Dërrasa të fryra. Lopë me gjinj të fryrë.
- Që është shëndoshur shumë, i ngjallur, i majmur; që ka shumë tul, i tultë. Me llërë të fryra. Me buzë të fryra.
- fig. keq. Që është rritur, zmadhuar e zgjeruar më shumë nga ç'duhet; që paraqitet më i madh nga ç'është në të vërtetë. Organikë e fryrë. Plan i fryrë. Kërkesa të fryra. Shifra të fryra
- fig. Që është i stërholluar e i mbushur me shumë fjalë, bombastik. Stil i fryrë. Fjalim i fryrë.
- fig. Që e kanë nxitur kundër dikujt me qëllim të keq. Njeri i fryrë. Ishte i fryrë.
- fig. mospërf. Që mbahet më të madh, që krekoset ose shet mend përpara të tjerëve. Ecte i fryrë.
- fig. I inatosur, i zemëruar.
- vjet. I yshtur, i namatisur. E quanin të fryrë vajzën.