Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    GJITHË

    Ipakuf.
    1. Që është në tërësinë e tij, pa i hequr a pa i përjashtuar asnjë pjesë, pa lënë jashtë asgjë; që i përfshin së bashku tërë sendet, qeniet a dukuritë e njëjta, të cilat përbëjnë një sasi a shumicë; tërë. Gjithë vendi (bota, krahina, fshati, lagjja). Gjithë Shqipëria. Gjithë shkolla. Gjithë njerëzit (shokët, nxënësit). Gjithë kafshët (shpendët). Gjithë populli (rinia, punonjësit). Gjithë ditën (natën, javën, muajin, vitin). Gjithë jetën (kohën). Pasuri e gjithë popullit. E hëngri gjithë bukën (gjellën). E piu gjithë ujin (qumështin). Si gjithë të tjerët njësoj si të tjerët, pa ndonjë ndryshim nga të tjerët. Këtu është gjithë çështja.
    2. Përdoret me parafjalët «me» dhe «në» për të treguar shkallën më të lartë të shfaqjes së një ndjenje a të një dukurie (zakonisht të shprehura me emra abstraktë). Me gjithë zemër (shpirt, dëshirë). Me gjithë mend pa shaka, përnjëmend, seriozisht. Në gjithë gjatësinë (gjerësinë) e rrugës. Me gjithë vëmendjen (kujdesin) e duhur. Me gjithë forcën (fuqinë). Me gjithë qejf me dëshirë, me kënaqësi, pa asnjë kundërshtim.
    3. Përdoret përpara një përemri dëftor për të treguar shkallën më të lartë të një tipari; tërë. Gjithë ai njeri. Gjithë ajo punë. Gjithë ai gëzim. Gjithë ato të mira.
    4. Përdoret me trajtën e pashquar të një emri, në kuptimin «krejt, plot; tërë». Gjithë bar (lule, pemë). Gjithë dhjamë (kocka). Gjithë baltë. Gjithë djersë (gjak). Gjithë inat (zemërim). Gjithë hir. Gjithë gaz (gëzim, hare).
    5. Të gjithë, të gjitha; gjithçka. Gjithë ç`ishin. Gjithë sa erdhën. Gjithë sa ndodhi.
    6. krahin. Çdo. Për gjithë ditë. Për gjithë vend. Në gjithë vend.
    7. përd. pj. Krejt, njësoj si dikush tjetër (nga vetitë trupore a morale), gjallë, tërë. Ishte gjithë i ati (i vëllai). Ishte gjithë e ëma (e motra).
    8. përd. pj. Pikërisht; po. Gjithë aty (atje). Gjithë në ato vite (në atë ditë).

      Shprehje

      • Gjithë si ashtu si; sido që. Me gjithë së bashku me, bashkë me. Gjithë e gjithë a) gjithsej; b) krejt. Me gjithë lecka shih te LECK/Ë,~A. Me gjithë opinga shih tek OPING/Ë,~A. Gjithë (tërë) sy e veshë shih te SY,~RI. Sot e gjithë ditën shih te SOT.
    IIGJITHË-fjalëform.
    1. Pjesë e parë e fjalëve të përbëra, që tregojnë se tipari i shënuar nga pjesa e dytë shfaqet plotësisht, përfshin plotësisht një tërësi të caktuar ose tërë sendet, qeniet a dukuritë e njëjta që përbëjnë një shumicë; p.sh. i gjithanshëm, gjithëgjuhësor, gjithëkombëtar, gjithëshqiptar, i gjithëfuqishëm, i gjithëllojshëm etj.