SY
m. sh.
- Organi i të parit te njeriu dhe te kafshët: me sy të zinj; me sy të skuqur (të përlotur, të përgjumur); kapakët e syve; kokërdhoku i syrit; bebja (drita) e syrit; mjeku i syve; hap (mbyll) sytë; më lotojnë (më djegin) sytë; m'u njomën sytë m'u mbushën sytë me lot; i mbushi sytë (me lot) është gati për të qarë, u rrëmbush; i kanë zënë (i kanë vënë) sytë perde; i bëjnë sytë tre e tre nuk sheh mirë, i merren sytë; m'u bënë sytë ujë m'u lodhën shumë sytë (kur lexoj gjatë e pa pushim); ia bëj me sy (dikujt) i shkel syrin; marr një sy gjumë fle pak; s'mbylla sy s'fjeta fare; më bënë sytë ashtu m'u duk, m'u bë sikur...; i shkel (i luaj) syrin dikujt i bëj shenjë me sy që t'i jap të kuptojë diçka (pa e vënë re të tjerët); (e ruaj) e dua si sytë e ballit (si dritën e syve, si syrin e vetëm) e kam si gjënë më të shtrenjtë; nuk i dal në sy (dikujt) nuk guxoj të takohem me të; qesh me sy e qan me zemër nuk e shfaq para të tjerëve hidhërimin a mërzinë e vet; korbi korbit (sorra sorrës) s'ia nxjerr sytë (fj. u.) i ligu nuk i bën keq të ligut; më dolën sytë u lodha shumë nga leximi, nga qëndisja etj.; i dolën sytë dokërr (jashtë, përjashta nga vendi) i kërcyen sytë përjashta, i zgurdulloi sytë (nga frika, habia etj.); u zgurdullua fort (nga tmerri, zemërimi etj.); flet me sy e me vetulla i lëviz shumë sytë e vetullat kur flet; sa hap (sa çel) e mbyll sytë shumë shpejt, në çast; e hëngri me sy e shikoi me ngulm a me vëmendje të madhe dikë a diçka që e dëshironte shumë, e përpiu me sy; e mori mësysh; hiqmu (shporrmu) sysh! largohu nga unë e mos më dil përpara!; më iku nga sytë u largua pa u vënë re, iku tinëz; më shpëtoi pa e vënë re (një gabim, një e metë etj.); sytë në ballë i kam shoh, e kam kujdes vetë; i hap sytë mirë; pafsh (pafsha) sytë e ballit! (betim.) për gjënë më të shtrenjtë që kam, për sytë e ballit!; e ka syrin pishë (kokërr) sheh shumë mirë e shumë larg; është syhapët; nuk i trembet syri, është guximtar; është ballëhapur; kur të kruash syrin me bërryl kurrë, asnjëherë; nuk e lëshon nga sytë nuk i ndan sytë, nuk ia heq vështrimin; më mirë të të dalë syri sesa nami (fj. u.) emri i keq që përhapet për dikë, i sjell shumë pasoja të këqija; e përpiu me sy ia nguli fort sytë me lakmi; mos të qaftë syri kurrë! (ur.) qofsh gjithnjë i lumtur!, mos të rënçin fatkeqësi!; për sytë e ballit (për këta sy që kam në ballë)! (betim.) për gjënë më të shtrenjtë që kam!, për fjalën e nderit!; për sytë e bukur (të dikujt) (iron.) vetëm sa për t'i bërë qejfin dikujt; për hatër të dikujt; në sy të botës para të gjithëve, haptas, botërisht; mos ia pafsha sytë! nuk dua të kem të bëj me dikë; s'sheh syri, sheh mendja thuhet kur nuk e vëmë re dikë a diçka; e pashë me sytë e mi (me sytë e ballit) jam dëshmitar; shih me sy e plas me zemër (shili me sy e s'është për ty) thuhet kur diçka e dëshirojmë shumë, por nuk mund ta kemi; nuk e shoh dot me sy (s'dua t'ia shoh sytë) e kam marrë shumë inat dikë; më ngjall neveri, s'e duroj dot; ç'i sheh (ç'i zë) syri, ia bën (ia zë) dora është mjeshtër për çdo punë, i vjen ndoresh për çdo gjë.
- Diçka e ngjashme nga trajta, nga funksioni etj. me këtë organ: sy xhami (i vënë) gjysmërruzull prej qelqi, që vihet në gropën e syrit që mungon; sy magjik vrimë e vogël në derë për të parë jashtë; syri i radios llambë e vogël për të kontrolluar valët në stacione; syri i çorapes sythi; syri i litarit nyjë në litar; syri i këmbës nyja e këmbës; syri i gjurit kupa e gjurit; syri i pistonit vrimë në piston; syri i diellit rruzulli i diellit; sy i kaltër pellg i vogël me ujë të kaltër.
- Të parët si aftësi e këtij organi dhe e njeriut: ka sy të fortë (të dobët); humbi sytë; e kanë lënë sytë mezi sheh, është verbuar; i merren sytë i është turbulluar shikimi; e ka syrin pishë (kokërr) sheh shumë mirë e shumë larg; është syhapët, është guximtar; është ballëhapur; e ka syrin pushkë (shigjetë) sheh shumë mirë e shumë larg; është symprehtë; e ka syrin xixë (i ka sytë xixë) shikon shumë mirë, ka sy të mprehtë; është trim; iu errën (iu shuan) sytë (euf.) vdiq; i perëndoi sytë (euf.) vdiq, mbaroi; m'u veshën sytë nuk shoh mirë; ku i ke sytë? nuk shikon ç'po bën?; syri i keq (i lig) sy i një njeriu që ka aftësinë për t'i bërë keq dikujt ose për t'i parandjellë një të keqe vetëm duke e parë; pasojë që i mbetet dikujt nga shikimi i një njeriu të tillë; ka sy të keq (të lig) ka aftësinë për të marrë mësysh; prishi syrin e keq (e lig) e yshti dikë gjoja për ta shëruar nga ndonjë sëmundje, i bëri magji për syrin e keq; syri plot e dora thatë edhe pse çfarë sheh është me shumicë, nuk ke mundësi të marrësh asgjë.
- Shikim, vështrim (edhe në njësi frazeologjike): me sy të qeshur (të egërsuar); hodhi sytë (diku); i largoi (i hoqi) sytë; i hodhi një sy (diçkaje) e lexoi shpejt e shpejt; i ndali sytë (te dikush a te diçka); ia qepi sytë (dikujt a diçkaje) ia nguli mirë sytë; më iku nga sytë; ngado që të kthesh sytë; deri ku të arrin syri larg sa mund të shohësh; tej në horizont; sa të ha syri aq larg sa arrin të shikosh; kthej sytë (nga dikush a nga diçka) nis t'i kushtoj vëmendje të posaçme dikujt a diçkaje; kërkoj ndihmë, i vë shpresat te dikush a te diçka; i mbeti syri (te dikush a te diçka) i pëlqen shumë e nuk ia ndan vështrimin; mprehu sytë u përpoq të shihte edhe më mirë; mprehu shikimin; nuk ia ndan (nuk ia shqit, nuk ia heq) sytë e shikon vazhdimisht e me ngulm; më shkon (më vete) syri (te dikush a te diçka) e shoh rastësisht; kam dëshirë ta kem a ta marr diçka; e shoh me një sy tjetër e gjykoj ndryshe nga sa e gjykoja më parë, e vlerësoj ndryshe; ma zuri syri e pashë rastësisht diku.
- fig. Mënyra si e vështrojmë a si e vlerësojmë dikë ose diçka; këndi i vështrimit: në sytë (e dikujt) sipas vlerësimit a gjykimit të dikujt; me syrin e mjeshtrit (e mjekut); e ka (e sheh, e shikon, e vështron) me sy të shtrembër (të keq, të lig) nuk e vlerëson drejt; nuk e pëlqen; përpiqet ta pengojë; nuk i do të mirën.
- fig. Syhaptësi, vigjilencë; mbikëqyrje: sy i kujdesshëm; syri i popullit.
- Edhe fig., sh. bised. fytyra, faqet: lau sytë; ia bëri sytë vetëtimë (gacë) (dikujt) i ra fort në fytyrë me pëllëmbë; ia shkrepi syve i ra fort në fytyrë me pëllëmbë; në sy të botës përpara të gjithëve, faqeza të tjerëve; haptas, botërisht; ia plasi ndër sy ia tha troç e me guxim, ia përplasi në fytyrë; ta thotë në sy flet hapur, është i çiltër.
- bised. Pamje, dukë: nuk ka sy.
- fig. Vend prej nga duket mirë hapësira përreth; mes: në një sy mali; në sy të ditës në mes të ditës.
Shprehje
- Nuk u besoj syve (veshëve) habitem shumë nga diçka e papritur që shoh (që dëgjoj); s'u beson as syve (as veshëve) të vet (dikush) kërkon t'i vërtetësojë gjërat; nuk beson asgjë pa e vërtetuar vetë; m'u bënë sytë ujë (për dikë) e pres dikë një kohë të gjatë e me mall; ma bën me sy shak. më tërheq shumë diçka, më josh; m'u bë syri bakër (për diçka) digjem nga dëshira për të pasur diçka; i bëj sytë katër rri syhapët; e bëj një sy të verbër (qorr) bëj sikur nuk e shoh ose nuk më intereson për dikë a për diçka; nuk i kushtoj gjithë vëmendjen e duhur; bie në sy (dikush) bën diçka që tërheq vëmendjen e të tjerëve; diktohet; dallohet a shquhet për diçka; (diçka) dallohet a duket mirë në mes të gjërave të tjera; tërheq vëmendjen; më dhembin sytë (kur e shoh) nuk mund ta duroj dikë a diçka, e urrej; m'u errën (m'u errësuan) sytë humba gjykimin e shëndoshë për një çast, humba mendjen dhe kontrollin e vetvetes nga lakmia etj.; fle me sy hapët është i ngathët; është si i përgjumur; fle me një sy (hapur) është syhapët; fryji sytë! s'ke për ta parë më diçka, qaje!, laj i duart nga diçka!; gjithë (tërë) sy e veshë me vëmendje të madhe (që të mos i shpëtojë asgjë); shumë i vëmendshëm (për të marrë vesh diçka a për të dëgjuar diçka që i pëlqen etj.); e ha syri (diçka) pëlqehet, pranohet; ma ha syri (diçka) mund ta bëj, ia dal mbanë; hapi (çeli) sytë! ki kujdes!, mos rri i shkujdesur!, ruhu; i hapi sytë ka filluar t'i shohë gjërat ashtu siç janë; është arsimuar, ka marrë dije e kulturë; njeh njerëz e vende të tjera; i ka hapur syrin (dikujt) e ka përkëdhelur shumë, e ka llastuar; e ka mësuar keq, i ka bërë lëshime; iu hap syri mori guxim, mori zemër; nuk ia hedh (nuk ia shtie) sytë nuk e përfill; s'më hyn në sy (dikush a diçka) më duket pa vlerë e pa rëndësi; nuk ma mbush mendjen se ka ndonjë vlerë a rëndësi; (askush, asgjë) nuk mund të ma zëvendësojë askush (asgjë) humbjen e një njeriu a të diçkaje shumë të shtrenjtë; iku (shkoi, ia mbathi) nga sytë këmbët iku nga e çonin sytë, ia mbathi me të katra; e ka syrin (te dikush a te diçka) kërkon ta ketë, e lakmon; e ka vëmendjen atje; i ka varur shpresat te dikush a te diçka; e ka syrin atje (dikush) synon diçka, i rri mendja atje; s'ka sy e faqe ka bërë diçka të keqe ose të turpshme dhe nuk mund të guxojë më t'i dalë përpara dikujt a t'i kërkojë diçka; është bërë me turp e s'del dot përpara të tjerëve; e ka syrin të hapur është ballëhapur; e ka syrin plot është i kënaqur plotësisht me diçka; i ka të gjitha; si e ke syrin e pushkës? shak. si të shkojnë punët?, si i ke punët?, a ke guxim të veprosh?; nuk i ka sytë në vend nuk e sheh mirë atë që bën; kullot sytë rri në një vend dhe kalon kohën ose kënaqet duke parë rreth e rrotull; ia lau sytë (diçkaje) e bëri një punë shpejt e shpejt dhe shkel e shko; e mbuloi diçka të keqe, i fshehu të metat e një pune; la sytë (pas dikujt a pas diçkaje) u mahnit nga bukuria e dikujt a e diçkaje; s'i la sy e faqe e turpëroi a e shau rëndë; i mori fytyrën; i lëshojnë (i bëjnë, i nxjerrin) sytë shkëndija (xixa, çika) i erret vështrimi (nga një goditje e fortë etj.); / i shkëlqejnë fort sytë nga zemërimi i madh ose nga urrejtja; ndien gëzim të madh, i ndritin sytë; mori të keqen (të ligën) në sy (dikush) i doli një të keqeje ballëhapur, iu fut diçkaje pa frikë duke e njohur rrezikun; mori sytë (e iku) u largua me nxitim nga një vend, iku nga sytë këmbët; e mori në sy (diçka) e mori parasysh pa u trembur nga një pasojë e keqe që mund të vinte; ma merr syri (diçka) mund t'ia dal mbanë, ma ha syri; m'i mori sytë (diçka) më bëri për vete sa nuk shoh si është në të vërtetë; i mbaj (i kam) sytë (te dikush a te diçka) i kam të gjitha shpresat te dikush a te diçka; i mbaj sytë hapur jam syhapur; s'i mbeti (s'i ngeli) sy e faqe u turpërua keq e nuk mund t'u dalë më të tjerëve përpara; më mbiu në sy përb. më del përpara aq shpesh sa më mërzit; nuk ta mbush (nuk ta zë) syrin nuk të duket kushedi se çfarë; nuk të kënaq a nuk të bind dikush a diçka; m'u mbush syri (plot) jam shumë i kënaqur me shumë njerëz, fëmijë a gjëra që kam; mbylli sytë euf. vdiq; më mbyllen sytë më flihet shumë; jam shumë i lodhur; mbylli sytë nuk vuri re asgjë; bëri sikur nuk shikonte; nuk mori parasysh asnjë vështirësi a rrezik; mbyll një sy e një vesh bëj ndonjë lëshim, bëj sikur nuk i vë re disa të meta e gabime; tregohem i mëshirshëm e lëshues; i ndritin (i shkëlqejnë) sytë ndien gëzim të madh; nxora sytë u lodha (duke lexuar, duke qepur a duke bërë një punë tjetër të vështirë); i nxori sytë (dikujt) e dëmtoi rëndë; / (diçkaje) e prishi më keq; të pi sytë (dikush) të turret me fjalë të ashpra, të qorton rëndë; i pikon syri gjak e bën diçka me stërmundim, lodhet jashtë mase; më plaçin sytë! përdoret si betim kur duam ta sigurojmë dikë se themi të vërtetën; i qan syri (i qajnë sytë) (për dikë a për diçka) e dëshiron shumë dikë a diçka; i rrodhën sytë qau shumë; lexoi e bëri një punë të gjatë, sa iu lodhën shumë sytë; sa për sy (sa për faqe) të botës sa për sy e faqe; me ç'sy e ç'faqe! me ç'guxim, si guxon!; sa për sy e faqe sa për t'u quajtur se u bë diçka ose se është në rregull; sa për t'u dukur, sa për të thënë; / jo me çiltëri, jo me gjithë zemër; me sy hapur (hapët) ballëhapur, pa druajtje; syhapur; me sy mbyllur verbërisht; sy ndër sy përpara dikujt, në prani të dikujt; haptazi; në sy (para syve) (të dikujt) në prani të dikujt, hapur, sheshit; sy për sy (sy me sy) vetëm për vetëm me dikë; ballë për ballë; e shoh në sy (diçka) i dal përballë me guxim, nuk i trembem; nuk i shohin sytë këtej nuk guxon të vijë këtej; nuk ka dëshirë të vijë; shqeu (hapi) sytë u habit së tepërmi, nuk u besonte syve për atë që shikonte; s'i trembet (s'i fiket) syri nuk ka frikë fare, është trim i madh; m'u tha syri (për diçka) më mungon diçka prej shumë kohësh, m'u bë syri bakër; na thave sytë kemi kohë që s'të kemi parë; na ka marrë shumë malli për ty; më therin sytë nuk e shoh dot me sy dikë a diçka, nuk mund ta duroj; i janë verbuar (qorruar) sytë (dikujt) nuk e sheh të keqen që po i bëjnë; nuk i kupton gjërat; verboj (qorroj) njërin sy bëj një sy të verbër; m'u veshën sytë nuk e pashë të keqen, u tregova i verbër e sylesh; nuk i vetëtin syri është trim i madh, s'i trembet syri; ia vuri (ia shtiu) syrin (dikujt) e zgjodhi midis të tjerëve për një punë etj.; (diçkaje) e lakmon ta shtjerë në dorë; i kanë vënë (i kanë zënë) sytë perde (tis, ag) është verbuar e nuk e sheh të keqen që po i bëjnë; nuk i kupton gjërat; i janë verbuar sytë; më vret sytë (dikush a diçka) nuk e duroj dot, më ngjall neveri; zuri sytë (dikujt) e pengoi që të shohë a të kuptojë të vërtetën; e mashtroi; (me diçka) i paraqiti diçka sa për ta mashtruar; i kanë zënë sytë lesh është sylesh.