Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    KRYQ

    m. sh.
    1. Figurë që bëhet nga dy vija, shufra etj., të cilat presin njëra-tjetrën në mënyrë të tillë që të formohen katër kënde të drejta. Bëj një kryq. Në formë kryqi. Zbukurim me kryqe.
    2. Send prej druri, prej metali, prej guri etj., që ka këtë formë e që është simbol i fesë së krishterë; shenjë e tillë që bëhet nga besimtarët e krishterë me dorën e djathtë për t'u falur (në vendet ku vepron feja e krishterë). Kryq i drunjtë (i hekurt, i gurtë, i mermertë). Kryqet e kishave (e varrezave). Shenja e kryqit. Nën hijen e kryqit. Dita e kryqit. fet. e kremte ortodokse që simbolizonte gjoja pagëzimin e Krishtit duke hedhur një kryq në ujë. Mbanin kryq në qafë. Puthnin kryqin. Bënte kryq para buke. E mbërthyen në kryq. Për këtë (atë) kryq! vjet., bet. Nuk i falen më kryqit.
    3. fig. Brengë e madhe që të mundon gjatë, vuajtje e rëndë që nuk të ndahet, hall i madh; e keqe, fatkeqësi. S'u ndahej ai kryq. Çdo shtëpi e kishte një kryq.
    4. përd. mb. Që është si kryq; i kryqëzuar. Rrugë kryq kryqëzim rrugësh, udhëkryq. Me duart (me këmbët) kryq.
    5. përd. ndajf. Në trajtë kryqi; tërthorazi, kryqaz. Vë kryq diçka i kryqëzoj. Pres kryq diçka pres për së kithi, pres kërthazi.

      Shprehje

      • Puthi kryqin iron. shih te PUTH. I puthi kryqin dikujt iron. shih te PUTH. I vuri (i hoqi) kryq dikujt a diçkaje e quajti të humbur përfundimisht; humbi çdo shpresë për ta gjetur; nuk mendoi më për të, i vuri vizë, e hoqi nga defteri. I ra kryq e tërthor (një vendi) i ra për së gjati e për së gjeri, shkoi në të gjitha anët a drejtimet, s'la vend pa shkelur, s'la vend pa parë. Rri me duar kryq rri pa punë, nuk bën asgjë; nuk vepron. Më shkoi puna kryq më vajti puna ters, më shkoi puna shtrembër. I ka ngecur veza kryq shih te VEZ/Ë,~A. Kryqi i kuq shih te KUQ (i), ~E (e). Kryqi i thyer shenjë si kryq me cepa të kthyer që u përdor si simbol i nazizmit.