NGJIT
Ikal.
- Bashkoj një gjë te një tjetër me zamkë, me tutkall etj.; bashkoj dy pjesë prej metali duke i salduar, bashkoj pjesët e këputura a të thyera të diçkaje; bashkoj dy gjëra duke i qepur a duke i mbërthyer: ngjit afishe (shpallje); ia ngjitën kockën e thyer.
- Bashkoj fort pas diçkaje; e afroj shumë sa të takohet me një tjetër: e ngjiti pas murit; i ngjiti dhëmbin e kafshoi.
- Ia kaloj një tjetri sëmundjen nga e cila vuaj; fig. e bëj ta zërë një ndjenjë që e kisha vetë: i ngjiti gripin; ua ngjiti gëzimin (të qeshurën, frikën).
- I vë emrin; i vë një emër të dytë a një nofkë, quaj: ia ngjitën emrin Agim.
- fig. Ia vë fajin a përgjegjësinë dikujt pa të drejtë, ia vesh: ia ngjiti fajin shokut.
- bised. E qëlloj me diçka: ia ngjiti me shuplakë.
- jokal. v. III ka aftësinë të bashkojë dy gjëra që të mos ndahen; zë vend mirë dhe nuk shqitet lehtë: kjo zamkë nuk ngjit; më ngjiti këmba në baltë.
- jokal. v. III më shijon e më shkon mirë një ushqim: nuk më ngjiti buka.
IIkal.
- Shpie diçka nga një vend më i ulët në një vend më të lartë, ngre; fig. çoj lart: e ngjiti në katin e tretë; e ngjiti në krye të klasifikimit.
- Shkoj nga një vend më i ulët në një më të lartë; kund. zbres: ngjitën të përpjetën; ngjiti shkallët.