Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    PASTROJ

    kal.
    1. I heq diçkaje pluhurin, plehrat, baltën, lyrën, bojën etj. me fshesë, me furçë, duke e fërkuar me leckë të lagur, me ujë etj., i heq papastërtitë e ndryshme, e bëj të pastër; laj me ujë e me sapun. Pastroi shtëpinë (dhomën, oborrin). Pastroi rrobat (këpucët). Pastroj xhamat. Pastroj biçikletën. Pastroj dhëmbët. Pastroj me fshesë (me furçë, me leckë). Pastroj me ujë.
    2. tek. I heq ndryshkun diçkaje duke e fërkuar; e fshij dhe e bëj të shkëlqejë, i jap shkëlqim. Pastroj armët (shpatën). Pastroj enët.
    3. I heq mbeturinat a çdo gjë tjetër që e zë, e ndalon, e prish etj.; largoj gjërat që e kanë zënë dhe që të pengojnë për të kaluar, për të punuar etj. Pastroi kanalin (pusin, vijën e ujit). Pastroj oxhakun. Pastroj çatinë nga dëbora. I pastroi rrugën. Ia pastroi tryezën. E pastroi vendin për arkat.
    4. vet. veta III. I heq puçrrat, dregëzat ose njollat në fytyrë e në lëkurë, e qëron; ia lan organizmin nga diçka e keqe, e dëlir. Ia pastroi fytyrën. Ia pastroi zorrët.
    5. vet. veta III. E kthjellon, i largon retë. Era e pastroi qiellin (motin).
    6. E qëroj nga lëndët e huaja, nga pluhuri etj., e bëj të kulluar a të pastër. Pastroj ujin (ajrin). Pastroj grurin. Pastroj arën nga gurët (nga ferrat).
    7. I heq cipën, lëkurën ose pjesë të tjera të panevojshme një sendi ushqimor përpara se ta gatuaj ose përpara se ta ha, qëroj. Pastroj peshkun. Pastroj perimet. Pastroje mollën (dardhën)!
    8. fig. Zhduk mbeturinat e ndikimet e ideologjisë së huaj; dëboj elementët me qëndrime politikisht të huaja e të dëmshme. Pastroj ndërgjegjen (vetëdijen). Pastroj botëkuptimin. I pastruan radhët.
    9. E çliroj a e shpëtoj një vend duke dëbuar ose duke asgjësuar armiqtë e tradhtarët. Ushtria Nacionalçlirimtare e pastroi vendin nga pushtuesit e tradhtarët. E pastruan nga bandat e kriminelëve.
    10. Heq atë që është e huaj, e tepërt, e panevojshme ose e dëmshme; e bëj më të qartë dhe më të kuptueshme diçka. Pastroj gjuhën nga fjalët e huaja. Pastroj programet (tekstet) nga lënda e tepërt.

      Shprehje

      • Pastro (laj) gojën! mospërf. shih te LAJ. Pastroj (kruaj) zërin (gurmazin) shih te KRUAJ. Pastroj ahuret e Augjiasit libr. shih tek AHUR,~I.