Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SA

    Ilidh.
    1. Lidh një gjymtyrë fjalie ose një fjali të varur krahasore, kur shprehin po atë sasi, masë, përpjesëtim etj. të krahasuar; lidh dy fjali a dy gjymtyrë të një fjalie që krahasohen ndërmjet tyre: i fuqishëm sa një luan; punon sa për dy; sa më shumë, aq më mirë; sa kërkoi, aq i dhanë; nuk i doli aq i mirë sa e priste.
    2. Derisa: priti sa e zuri gjumi.
    3. Sapo: sa e pashë, m'u kujtua.
    4. Kur: sa ndenji këtu, nuk foli.
    5. Në vend që: sa të rrish kot, më ndihmo.
    6. Deri në atë masë, deri në atë shkallë që...: foli sa u lodh.
    IIndajf.
    1. Përdoret kur shprehim habi, admirim, dëshirë ose një ndjenjë tjetër; shumë, jashtëzakonisht: sa trim ishte!: sa e do të birin!; sa u habit! sa e sa përpjekje shumë përpjekje.
    2. Në atë sasi, në atë shkallë etj. që kërkohet ose që është e mundshme: sa të dojë; sa të ketë.
    3. Sapo; paksa: sa kishte ardhur; sa e kishte prekur.
    IIIpj.
    1. Vetëm: e tha sa për të larë gojën.
    2. Përdoret me parafjalën "për" me kuptim kufizues: sa për durim, pati mjaft; sa për mua, më mirë që iku; kaq sa për sot; për sa kohë që...
    3. (me pjesëzat mohuese "s", "nuk") gati: sa s'(nuk) ra!; sa s'fluturonte nga gëzimi!
    IVpërem.
    1. pyet. Përdoret kur pyesim për sasinë e qenieve, të sendeve a të dukurive: sa veta ishin?; sa vjet kanë kaluar?; sa është ora?; sa kushton?; sa mban deri atje?
    2. pacak. Në atë sasi a masë; gjithë: sa u mbollën, aq zunë; erdhën sa ishin ftuar; mori sa deshi.
    3. lidhor. Përdoret me parafjalët "nga", "me", "për" me kuptim kufizues: me sa duket, nuk do të vijë; nga sa kam dëgjuar, e priti mirë; për sa folën... për atë që folën.
    4. pacak. Përdoret kur shprehim habi, admirim etj. për sasinë e madhe të qenieve, të sendeve a të dukurive: sa paskan ardhur!; sa vjet u bënë!
    5. pacak. bised. Disa, ca: u shpërndanë sa andej, sa këtej.