Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHES

    kal.
    1. I jap dikujt një mall a një send duke marrë prej tij një shumë parash. Shiste vezë (pula, mollë, gështenja, perime). Shet naftë (krom, hekur, çimento). E shiti shtëpinë (bagëtinë). Shesin forcën e krahut (punëtorët në vendet kapitaliste). Ia shitnin tepricat (e prodhimeve bujqësore) shtetit. E shiti lirë (shtrenjtë). E shiti me humbje. Nuk e shet.
    2. edhe fig. keq. Tradhtoj dikë a diçka; ia lë dikujt në dorë për para ose për përfitime të tjera; shkel vlerat më të larta morale për përfitime vetjake. Shitën atdheun (vendin, lirinë, pavarësinë, interesat kombëtare). Shiti nderin. S`e shet veten tek të huajt.
    3. fig. keq. Përpiqem ta paraqit dikë a diçka ndryshe nga ç’është në të vërtetë, për t'ia hedhur dikujt, për të mashtruar dikë. E shet një teori si origjinale (si materialiste, si shkencore). E shet veten si të ditur (të zotin, trim). E shet veten si mik. Shiti gjetkë (shitja tjetërkujt) këto! gjej njerëz të tjerë që të të besojnë për këto që thua, se ne nuk na gënjen dot!
    4. keq. Ua them të tjerëve, ua jap të tjerëve gjoja si të mirë për t'ua hedhur a për t'u dukur. Shet të trasha thotë fjalë të mëdha për t'u dukur, mburret. Shet pallavra (dokrra, dëngla, përralla) hiqet trim a i zoti para të tjerëve.

      Shprehje

      • Të shet e të blen është shumë i zgjuar, është shumë i shkathët e dinak. Shet e nuk blen flet vetë për t'u mbushur mendjen të tjerëve dhe nuk dëgjon fare se ç'thonë ata. Shet dije shet mend, hiqet si i ditur. E shet lart dikush mbahet me të madh, është mendjemadh, e mban hundën përpjetë. Shet mend përpiqet të tregohet më i ditur a më i zoti sesa është, mburret përpara të tjerëve. I shet kastravecë bostanxhiut shih te BOSTANXHI,~U. E shiti lëkurën shtrenjtë u vra pasi e dëmtoi rëndë kundërshtarin, ia pagoi shtrenjtë armiku. Shiti rrobat dhe lëkurën u vu kokë e këmbë në shërbim të dikujt për para a për përfitime të tjera vetjake. E shet sapunin për djathë shih te DJATH/Ë, ~I. E shet shkumën për ajkë shih te SHKUM/Ë,~A. Ia ka shitur shpirtin shejtanit keq. shih te SHEJTAN, ~I. Ta shet ujin e pusit për verë shih te VER/Ë,~A II. Djalli s'ka dele dhe shet lesh shih te DJALL,~I. Shtëpinë shite, shokun mbaje! fj. u. për shokun e vërtetë mos kurse asgjë, miqësia e vërtetë s'ka të paguar. I zoti e shet, tellalli s'e jep fj. u. shih te ZOTI (i).