Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHKURT

    ndajf.
    1. Duke shkuar nëpër rrugën më të shkurtër për të arritur diku, nga është rruga më e shkurtër, andej nga del më afër (e shoqëruar ose jo me parafjalën «për»); kund. gjatë. I rashë (për) shkurt. Andej dalim shkurt. Këtej bie (pret) më shkurt. Nga shkohet më shkurt?
    2. Në mënyrë të tillë që të mos mbulohet qafa, me gjatësi të vogël (për flokët). I pres flokët shkurt.
    3. Me pak fjalë, pa hyrë në hollësira, pa e zgjatur; përmbledhtas; kund. gjatë; gjerë. Foli (u përgjigj, i ra) shkurt. Shkruaj shkurt. Që ta themi (që t`i biem) shkurt...
    4. bised. Duke thënë fjalën e fundit (kur bëjnë pazar për diçka); duke e thënë një gjë copë dhe me pak fjalë. Sa e mban shkurt? Këpute shkurt! Do shkurt ti?
    5. si fj. ndërm. Që ta themi me pak fjalë, që të mos e zgjatim (përdoret në krye të një fjalie kur rimerret e përmblidhet me pak fjalë ajo që është thënë më parë). Shkurt, aty ka pasur një frymë të lartë luftarake. Shkurt, nuk kthehem dot para shtatorit.

      Shprehje

      • I ra shkurt (një pune) e përfundoi shpejt një punë a një çështje, pa u thelluar dhe pa hyrë në hollësira. Gjykon (mendon) shkurt nuk gjykon thellë, nuk thellohet, nuk sheh larg. Shkurt hesapi... fj. ndërm. a) që ta zgjidhim këtë punë pa e zgjatur... b) s'ka vend për fjalë të tepërta, puna është e qartë. Pret shkurt shih te PRES I. Ia preu shkurt dikujt shih te PRES I. I preu drutë shkurt me dikë nuk ia zgjati shumë dikujt, i dha përgjigjen e duhur, i tregoi vendin.