Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    UDHËHEQ

    kal.
    1. I tregoj dikujt rrugën nga të kalojë, i tregoj drejtimin duke e shoqëruar. I udhëhoqi deri në fshat. I udhëhoqi nëpër qytet. Udhëheq alpinistët (turistët).
    2. fig. I tregoj dikujt rrugën për të arritur një qëllim, i jap drejtimin; i caktoj pikësynimet e afërta e të largëta dhe rrugët për t'i arritur ato; eci në ballë, prej. Udhëheq masat (popullin, vendin). Udhëheq luftën (revolucionin). Udhëheq drejt fitoreve të reja. Udhëheq me trimëri (me guxim, me urtësi).
    3. Organizoj e drejtoj veprimtarinë e një organizate, të një ndërmarrjeje a institucioni, të një rrethi, të një grupi njerëzish etj.; jam në krye, kryesoj; kujdesem që dikush a diçka të vejë mbarë e të përparojë, drejtoj një punë. Udhëheq ndërmarrjen (këshillin, organizatën). Udhëheq kërkimet shkencore. Udhëheq delegacionin. Udhëheq pionierët (nxënësit, studentët, grupin). Udhëheq praktikën mësimore. Udhëheq ekspeditën.
    4. edhe jokal. Jam në krye gjatë një ndeshjeje, një gare etj., jam në vendin e parë, kryesoj. Udhëheq gjatë lojës (gjatë garës). Udhëheq në klasifikim.