Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    VIHEM

    vetv.
    1. E vë veten në një gjendje të caktuar; dal në një vend të caktuar; bie. U vu në një gjendje të vështirë. U vu në një radhë me të tjerët. U vu në krye (në ballë) doli në krye, doli në vijë të parë a në ballë, udhëheq. U vu në bisht mbeti në fund, mbeti prapa. U vu në binarë (në vijë) hyri në rrugë të mbarë.
    2. I përvishem një pune a një veprimtarie me ngulm e me zell, merrem shumë e me gjithë shpirt me diçka, duke pasur një synim të caktuar; i kushtoj kujdes a vëmendje të madhe diçkaje; i përvishem. Iu vunë punës (shkollës, studimit, shkencës). Iu vunë bujqësisë (blegtorisë). Iu vu me mish e me shpirt (me të gjitha forcat).
    3. E ndjek pas dikë pa iu ndarë, i qepem, nuk i ndahem. Iu vu pas. Iu vu këmba-këmbës. Iu vu në shpinë.
    4. I lutem shumë dikujt që të bëj diçka; i qepem, i vardisem. Iu vunë të vinte për darkë. Mos iu vër shumë! Kot që më viheni, s'vij dot. Iu vu derisa ai pranoi.
    5. bised. Përdoret si folje gjysmëndihmëse përpara një foljeje tjetër në mënyrën lidhore, me kuptimin «nis një punë a një veprim, filloj të bëj diçka». U vu të ecte. U vu të fliste (të largohej).
    6. Përd. pavet. sipas kuptimeve të foljes VË.
    7. Pës. e VË.

      Shprehje

      • U vu në blojë keq. shih te BLOJ/Ë,~A. S'vihet inat me dikë a me diçka shih tek INAT,~I. Pa u vënë re shih te RE. Nuk vihet në xhep dikush shih te XHEP,~I. Iu vu (i mbeti) njolla me bojë shih te NJOLL/Ë,~A. Iu vu ruba (një shtëpie) shih te RUB/Ë,~A. S'vihen dy gjilpëra majë më majë fj.u. shih te GJILPËR/Ë,~A.