DERDHEM
vetv.
- vet. veta III. Rrjedh a del jashtë nga gryka ose nga një e çarë e një ene, e një thesi etj. dhe përhapet në tokë a mbi sipërfaqen e një sendi ose bie në një enë tjetër (për një lëng a për diçka të imët); zbrazet një enë, një thes etj. U derdh uji (vaji, qumështi). U derdh mielli (sheqeri, orizi). Iu derdhën mollët (portokajtë). U derdhën thasët. Iu derdh shporta. Po derdhet shishja. Derdhet pika-pika (ngadalë, çurkë). Ç`është derdhur këtu? Ra e u derdh.
- vet. veta III. Shkon e i derdh ujërat në det, në liqen etj.; bised. vërshon (për një lumë, një përrua etj.); bie shumë e me vrull (për shiun). Derdhet shiu me shtamba (me rrëshekë). Shkumbini derdhet në detin Adriatik. Derdheshin lumenjtë e mbytnin fushat.
- vet. veta III. Varet poshtë e përhapet, lëshohet lirshëm; me vjen sipas trupit. Flokët iu derdhën mbi supe. I derdhej fustani pas trupit.
- vet. veta III. Vjen e shtrihet, shpërndahet, përhapet (edhe fig.). Drita u derdh mbi fshat. Errësira u derdh anembanë. Mjegulla u derdh nëpër fushë. Iu derdh një i kuq në fytyrë. Derdhej era e trëndafilave. Kënga u derdh valë-valë. U derdh anembanë gëzimi i popullit.
- fig. Dal e vërsulem në një drejtim të caktuar, vërshoj bashkë me të tjerë për diku; lëshohem përpara me vrull; nisem me të shpejtë e shkoj me vrull diku. Populli u derdh nëpër rrugë. Demonstruesit u derdhën drejt sheshit. Korrëset u derdhën fushave. Partizanët u derdhën nga malet. U derdh nga Shkodra në Tiranë. U derdh përpara.
- I hidhem dikujt me rrëmbim për ta kapur, për ta përqafuar etj.; i lëshohem, i vërsulem, i turrem dikujt (edhe fig.). Iu derdh në qafë. Fëmijët iu derdhën nënës (mësueses). Partizanët iu derdhën armikut. Iu derdhën qentë (ujkut). Iu derdh me të shara (me hakërrima).
- vet. veta III bised. Shkrifërohet e shkoqet (për tokën). Toka iu derdh nëpër duar.
- Pës. e DERDH. U derdh në bronz.
Shprehje
- Është derdhur gjak është bërë luftë e madhe e janë vrarë njerëz. U derdh kupa kaloi çdo masë e kufi, nuk mund të durohet më. Ia derdh si shirit shih te SHIRIT,~I. Ia derdhën trutë dikujt thjeshtligj. mbeti në vend, vdiq (kur është goditur në kokë). Iu derdhën zorrët thjeshtligj. u vra, ra i vdekur përtokë (kur është goditur në bark). U derdh gjaku pellg shih te PELLG,~U. Gjalpi në lakror derdhet (bie, mbetet) fj. u. shih te BIE I. U derdh vaji, s'mblidhet më fj. u. shih te VAJ,~I I.