FSHIJ
kal.
- Heq lëmishtet, bëzhdilat a papastërti të tjera me fshesë, me furçë,me leckë etj. Fshij shtëpinë (dhomën, oborrin, rrugën). Fshij mobiliet (karriget, tryezën). Fshij rrobat (këpucët). Fshij armën. Fshij me fshesë (me furçë, me leckë).
- E heq lagështirën në sipërfaqen e diçkaje, duke e fërkuar me peshqir a me një rrobë të thatë. Fshij fytyrën (duart, trupin). Fshij ballin. Fshij djersën (lotët). Fshij me peshqir (me shami).
- Prish me gomë a me diçka tjetër diçka të shkruar ose të vizatuar në një letër, në dërrasë të zezë etj.; shuaj, shlyej. Fshij dërrasën e zezë. Fshij vijat (figurën).
- fig. Bëj që të mos jetë më diçka, zhduk. I fshimë zakonet e vjetra (prapanike). I fshinë nga faqja e dheut.
- vet. veta III fig. bised. E merr diçka përpara duke mos lënë asnjë shenjë a gjurmë, përlan. Lumi e fshiu krejt shtëpinë (fshatin). I fshiu era e madhe (furtuna).
- fig. bised. E kap dikë menjëherë dhe e hedh në një vend tjetër, përfshij. E fshiu për beli (për mesi, për fyti).
- fig. bised. E ha të tërë e menjëherë, e përlaj. E fshiu gjellën. E fshiu të gjithë mishin.
Shprehje
- Fshin buzët bën naze në të ngrënë. I fshiu buzët nga diçka hoqi dorë, nuk ka më shpresë, lau duart nga diçka. E fshiu (e hoqi, e shoi, e shleu) nga defteri dikë a diçka shih te DEFTER,~I. I fshiu (i lau) duart nga dikush a nga diçka shih te LAJ. I fshiu lotët dikujt i hoqi a i largoi hidhërimin dikujt. Nuk di të fshijë hundët mospërf. nuk është i zoti për asgjë, është fare i humbur. Fshiji mustaqet (buzët) për murrizi (pas murrizit) iron. shih te BUZ/Ë,~A.