Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    GJATË

    mb.
    1. Që ka shtrirje të madhe në hapësirë në njërën nga përmasat (në gjatësi), që zgjatet shumë nga njëri skaj në tjetrin; që ka gjatësi më të madhe nga sa duhet a nga sa është e zakonshme ose në krahasim me një tjetër; kund. i shkurtër. Shkop i gjatë. Degë të gjata. Fije e gjatë. Rrugë e gjatë. Me këmbë (me duar) të gjata. Me mëngë të gjata. Gishtërinj (thonj) të gjatë. Qafë e gjatë. Flokë të gjatë. Lesh i gjatë. Çorape të gjata. Pantallona të gjata. Pushkë e gjatë. Hije e gjatë. Valë të gjata. elektr. valë që e kanë hapin e lëkundjes më të madh se 3000 metra. Ecën me hapa të gjatë. Bëhet më i gjatë zgjatet. I pres drutë të gjata. I rri i gjatë fundi.
    2. Që zgjatet, që shtrihet në një madhësi të caktuar në njërën nga përmasat (në gjatësi), që ka gjatësinë e matur. Katër metra i gjatë. Një kilometër i gjatë. Sa i gjatë është?
    3. Që ka trup të lartë; kund. i shkurtër. Burrë i gjatë. Plep (lis) i gjatë. Është bërë i gjatë.
    4. Që zgjat shumë kohë; që zgjat a që vazhdon më shumë se zakonisht ose më shumë se një tjetër; që shtrihet shumë në kohë a që kërkon një periudhë kohe pak a shumë të madhe; kund. i shkurtër. Kohë e gjatë. Dimër i gjatë. Verë e gjatë. Ditë (natë) e gjatë. Luftë e gjatë. Sëmundje e gjatë. Pushim i gjatë. Me afat të gjatë. Me jetë të gjatë! ur. Gjithë ditën e gjatë gjatë gjithë ditës. Gjithë natën e gjatë gjatë gjithë natës. Udhëtim i gjatë. Heshtje e gjatë. Mungesë e gjatë. Mbledhje e gjatë. Film me metrazh të gjatë.
    5. Që ka vëllim të madh (për shkrime e vepra letrare); që zgjatet shumë, duke i dhënë me hollësi gjërat (për diçka të shkruar ose për një fjalim, për një bisedë etj.); kund. i shkurtër. Tregim i gjatë. Novelë e gjatë. Fjalim (referat) i gjatë. Bisedë e gjatë.
    6. gjuh. Që zgjatet më tepër kur shqiptohet, që ka gjatësi më të madhe në shqiptim; kund. i shkurtër. Zanore e gjatë. Rrokje e gjatë. Diftong i gjatë.
    7. Përd. em. sipas kuptimit 3 të mbiemrit. Dy të shkurtër dhe një i gjatë në mes. I gjati është shërbëtori i të shkurtrit. shak.

      Shprehje

      • S’e bëri të gjatë a) veproi shpejt, veproi menjëherë, nuk e zgjati; b) i ra shkurt, nuk e zgjati. S'i bëri të gjatë dikujt nuk e duroi shumë, nuk e priti shumë, s'ia zgjati. Nuk e ka të gjatë e ka fundin të shpejtë, është afër fundit, nuk do të rrojë edhe shumë, po i afrohet vdekja; nuk do të vazhdojë shumë. Muajt e gjatë muajt që kanë nga 31 ditë. Si bën drutë të gjata shih te DRU,~JA. E ka dorën të gjatë (i ka duart të gjata) keq. a) është mësuar të rrahë, e ka zakon të godasë të tjerët; b) vjedh, rrëmben. E ka fytin të gjatë (të madh) ha shumë, s'lë gjë pa ngrënë, është hamës i madh. E ka gjuhën (llapën) të gjatë (të madhe) është llafazan, flet shumë; nuk mban dot gjë të fshehtë, i tregon të gjitha. E ka hundën të gjatë (të madhe) është mendjemadh, është fodull. E ka sqepin të gjatë flet shumë me vend e pa vend; nuk i rrihet pa folur për çdo gjë e për këdo. Nuk e ka më të gjatë se... nuk rron më tepër se...; nuk duron a nuk qëndron më tepër se...