KALORËS
Im. sh.
- Ai që ka hipur në kalë, ai që ecën me kalë; ai që di të ecë e të vrapojë me kalë. Kalorës i mirë.
- usht. Luftëtar i stërvitur për luftim mbi kalë. Reparti i kalorësve.
- hist. Titull që u jepej feudalëve oborrtarë; feudal që i përkiste shtresës së aristokracisë ushtarake (në disa vende të Evropës).
- fig. lart., libr. Njeri fisnik që lufton me vetëmohim e me trimëri për një çështje të madhe. Kalorës i lirisë. Kalorës i revolucionit.
Shprehje
- I qan hallin kalorësit se i varen këmbët thuhet kur dikush shqetësohet kot për një njeri, që i ka punët në rregull e që ka mbështetje a përkrahje të fortë.
IImb. usht.
- Që është stërvitur të luftojë hipur në kalë; që përbëhet prej kalorësish. Ushtar kalorës. Forca kalorëse.