Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    LIROHEM

    vetv.
    1. Fitoj lirinë, shpëtoj nga robëria a nga shfrytëzimi, çlirohem. U lirua Shqipëria.
    2. Dal nga burgu e qarkulloj lirisht. U lirua para kohe.
    3. Dal nga shërbimi ushtarak, dal në lirim; lë një punë a një detyrë për të kaluar në një punë a në një detyrë tjetër. Është liruar nga ushtria. Lirohet nga ajo detyrë.
    4. Lehtësohem nga një punë, shpëtoj nga një barrë a nga diçka tjetër. Lirohem nga puna. U lirua ca nga barra që kishte.
    5. vet. veta III. Del një kafshë prej një vendi ku ka qenë e mbyllur ose shpëton nga zinxhiri etj. Qeni u lirua nga zinxhiri.
    6. vet. veta III. Bëhet më e lirë diçka që ishte e lidhur fort; bëhet më e lirë diçka që ka qenë e shtrënguar a e puthitur shumë pas trupit a pas një pjese të tij; kund. shtrëngohet. U lirua rripi. Iu liruan këpucët. Iu lirua jaka e këmishës.
    7. Heq rrobat a sendet e tjera (si armën etj.) që kam ngjeshur në trup; zgjidh; çlirohem. U liruan nga armët (nga rripat). Lirohuni burra!
    8. Lehtësohem nga një dhimbje trupore. U lirua nga dhimbjet (nga barku, nga koka).
    9. vet. veta III. Largohet nga një send tjetër diçka që thahet, që tkurret a që mblidhet; zbërthehet. U liruan dërrasat e vozës (e dyshemesë). U lirua dritarja.
    10. bised. euf. Bëj fëmijë; lind (për gratë). U lirua gruaja (nusja).
    11. euf. Dal jashtë, bëj nevojën. Shko lirohu!
    12. vet. veta III kim., fiz. Del jashtë, çlirohet. Lirohet nxehtësi (energji).
    13. vet. veta III. Kushton më lirë, mund të blihet me një çmim më të ulët. U liruan domatet (këpucët).
    14. Pës. e LIROJ.

      Shprehje

      • I janë liruar (e kanë lëshuar) rrathët shih te RRETH,~I. I janë liruar (i kanë luajtur) vidhat (burgjitë, burmat) dikujt shih te VIDH/Ë,~A.