Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    RRËNJË I

    f. sh.
    1. bot. Pjesa kryesisht nën dhe e një bime barishtore, e një shkurreje a e një druri, që e mban atë të ngulur dhe që i shërben për të thithur ujin a ushqimin; pjesa e nëndheshme e disa bimëve, që përdoret për ushqim, për të bërë barna a pije ose për të përgatitur sende të ndryshme. Rrënjë e hollë (e trashë, e shkurtër, e thellë). Rrënjë kryesore (nëntokësore, ajrore, mbitokësore, anësore). Rrënjë boshtore (xhufkore, penjëzore). Rrënjë të kalbura. Rrënjë në ujë. Qafa e rrënjës. Qimet (sythat) e rrënjës. Pije (barna) me rrënjë bimësh të egra. Çibuk nga rrënja e shqopës. Lëshon (nxjerr, zë) rrënjë. I pres rrënjët. Shkul rrënjën. I zbuloj (i mbuloj, i mbath) rrënjët. E nxjerr me gjithë rrënjë. Shtoj me rrënjë.
    2. Një bimë e mbjellë ose një pemë që jep kokrra; një bimë a një dru si njësi numërimi. Dyzet rrënjë mollë (hardhi). Njëzet rrënjë ullinj. Mbollën pesëqind rrënjë pemë. Plehërojnë çdo rrënjë (rrënjë me rrënjë).
    3. anat. Pjesa me të cilën një organ me trajtë të zgjatur është kapur ose është ngulur në një ind; pjesa e prapme e një organi të tillë. Rrënja e flokut. Rrënja e thoit. Rrënja e hundës rrëza e hundës. Shkul (heq) rrënjët e dhëmbit. I mbeti një rrënjë. I këputi rrënjët.
    4. fig. Burimi më i parë e më i thellë i një dukurie, prejardhja; mbështetja e thellë, mbi të cilën rritet e zhvillohet diçka, themeli. Rrënjë të thella (të forta). Rrënjët e vërteta. Rrënjët klasore. Rrënjët historike (ideologjike, shoqërore, filozofike). Rrënjët e së keqes (e paragjykimeve, e gabimeve, e kontradiktave). I gabuar që në rrënjë. I gjeti rrënjët diçkaje. I ka rrënjët thellë në... E kap (e zë) nga rrënjët diçka. Gjer në rrënjë. E tundi (e lëkundi) nga rrënjët. E mësoi me rrënjë. Liria i ka rrënjët në gjak. fj. u.
    5. gjuh. Pjesa kryesore e fjalës, që nuk mund të ndahet më tej në pjesë përbërëse, që bart e ruan kuptimin themelor dhe që shërben si bazë për të formuar fjalë të reja me anë parashtesash, prapashtesash etj. Rrënjë emërore (foljore). Rrënjë njërrokëshe (dyrrokëshe). Rrënja e përbashkët. Fjalë të një rrënjë. I gjej rrënjën fjalës.
    6. mat. Numër a shprehje algjebrike, që, kur ngrihet në fuqi, jep madhësinë e dhënë më parë; numër që shërben si zgjidhje e një barazimi. Rrënjë katrore (kubike). Rrënjët aritmetike (algjebrike). Rrënja e një thyese. Shenja e rrënjës. Nxjerr (gjej) rrënjën katrore të një numri. Ngre në fuqi një rrënjë.
    7. kim. Grup me atome në molekulat e lëndëve kimike, që merr pjesë në reaksionet pa u ndryshuar. Rrënjë kimike. Rrënjë acide (bazike). Rrënjë e lirë.
    8. bised. Prejardhja e një njeriu, familja a farefisi nga vjen dikush; mbështetja e përkrahja që ka dikush nga njerëzit e afërm ose të njohur, rrethi i ngushtë. Rrënja e një njeriu (e një fisi). Nga e ka rrënjën? Nga ç'familje a nga ç'shtresë rrjedh? Ka rrënjë të thella (të forta) dikush. Rrënjë pas rrënjë brez pas brezi. Është pa rrënjë ka mbetur pa familje. I ka dalë rrënja ka mbetur pa fëmijë, pa trashëgimtarë. I ka rrënjët të shkulura ka mbetur fill i vetëm, i shkretë, pa të afërm, pa njeri.

      Shprehje

      • Me rrënjë në mënyrë të thellë, shumë mirë e me hollësi. (E pyes) rrënjë më rrënjë (e pyes) me hollësi, imtësisht. Ia heq (ia tërheq) rrënja për diçka ka qejf për diçka, ia do qejfi. Lëshon (zë, ngul, hedh, shtie) rrënjë a) dikush zë vend përgjithmonë diku, ngulet përgjithnjë; shkon në një vend e s'di të ikë më që andej; b) diçka zë vend të qëndrueshëm, rrënjoset fort. Numëron rrënjët shih te NUMËROJ. Ia pres rrënjët diçkaje shih te PRES I. Shkul (përmbys, pres) nga rrënjët (me rrënjë) e shkatërroj që nga themelet, i heq çdo mundësi për të jetuar a për t'u zhvilluar më tej, e shfaros, e zhbij. I zbuloj rrënjët dikujt a diçkaje shih te ZBULOJ. U bë rrap e rrënjë shih te RRAP,~I. Nuk ka degë pa rrënjë fj.u. askush a asgjë nuk mund të ecë përpara pa pasur një themel të shëndoshë; nuk ka zhvillim pa mbështetje të shëndoshë; nuk ka majë pa rrëzë. I ka rrënjët mbi ujë është pa mbështetje, nuk ka themel të shëndoshë, qëndron në ajër. I ngeci plori në rrënjë shih te PLOR,~I. E njoh (e di) me rrënjë e me degë e njoh shumë mirë, ia di të gjitha me hollësi. E shau rrënjë më rrënjë (me rrënjë e me degë) e shau shumë rëndë, s'i la gjë pa thënë. E shkulën (e ngritën) me rrënjë e me degë e larguan a e dëbuan nga një vend me gjithë familje, me të madh e me të vogël. E kap për rrënjësh e jo pas degësh kap hallkën kryesore, i futem thelbit për të zgjidhur diçka, e kap demin për brirësh. Gjuha e ka rrënjën në zemër fj. u. shih te GJUH/Ë,~A. Mos mburr degët pa parë rrënjët! fj. u. për të vlerësuar diçka mos u mbështet në anët e jashtme, por shiko brendinë, thelbin, themelet, shkaqet, qëllimet.