Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHOK

    m. sh.
    1. Njeri me të cilin jemi lidhur me miqësi gjatë jetës, në një punë a në një veprimtari të përbashkët ose në luftë për një çështje të përbashkët; njeri me të cilin kemi pikëpamje, mendime e interesa të përbashkëta, kemi moshë pak a shumë të afërt dhe shkojmë mirë njëri me tjetrin. Shok i mirë (i vërtetë, i rrallë). Janë shokë të ngushtë (të pandarë). Shok fëmijërie (vegjëlie). Shok shkolle (klase, banke). Shok i zemrës. Shok jete bashkëshort. Shok lufte. Shok armësh bashkëluftëtar për një çështje të përbashkët revolucionare e patriotike. Shokë mali. bised. ata që kanë shkuar bashkë në mal si partizanë. Shokë vuajtjesh (mjerimi). Ndërmjet shokësh. Shok për kokë. Bëri (ka) shumë shokë. Shkon mirë me shokët. Njeriu i mirë është shok. Shoku shok e puna punë. Trimi i mirë me shokë shumë. fj. u. Atij që i thërret shok, i ke thirrur vëlla. fj. u. Thuamë ç`shokë ke, të të them cili je. fj. u. Në rrezik e në nevojë shoku-shokun të ndihmojë. fj. u.
    2. Ai që është i ngjashëm me dikë nga aftësia a nga zotësia për një punë ose nga një veti e karakterit, nga një virtyt etj. I ka shokët të rrallë. Trim pa shok. Nuk e ka shokun. Nuk i gjendet shoku. Shok ka veten s'ka tjetër si ai, ka cilësi të veçanta. Ai me shokë. S`jam shoku i atij.
    3. Njeri me të cilin gjendemi a veprojmë së bashku në disa rrethana të caktuara. Shok pjesëmarrës. drejt. ai që bashkohet ose merr pjesë bashkë me një tjetër a me disa të tjerë në një punë, në një veprim etj., duke pasur interesa të përbashkëta me ta. Shok rruge (udhe) bashkudhëtar. Gjeta një shok. Na duhet edhe një shok.
    4. Ai që luan a që merr pjesë në të njëjtën skuadër ose ekip sportiv. I kaloi shokët. Ia pasoi topin shokut.
    5. Burrë a djalë, mashkull. U zgjodhën edhe shoqe, jo vetëm shokë. Kishte më shumë shokë se shoqe.
    6. si mb. ~, SHOQE drejt. Që është bashkuar me të tjerë në një traktat, në një marrëveshje a në një organizatë ndërkombëtare dhe që gëzon disa të drejta me të kufizuara në krahasim me anëtarët kryesorë. Fuqi shoqe. Anëtar shok.
    7. si përem. Njëri, tjetri. U mësuan shoku me shok. U zunë shok me shok.

      Shprehje

      • Është shok me para shih te PARA,~JA. Vëllezër jemi, shokë s'jemi mund të jemi vëllezër a të kemi lidhje gjaku të afërta, por mund të kemi tipare, veti, interesa, pikëpamje e synime të ndryshme dhe të mos shkojmë mirë njëri me tjetrin. Shtëpinë shite, shokun mbaje! fj. u. për shokun e vërtetë mos kurse asgjë, miqësia e vërtetë s`ka të paguar. Kush i bën varrin shokut, bie vetë brenda fj. u. shih te VARR,~I.