Kalo te përmbajtja
Fjalor Shqip

Fjalor i gjuhës shqipe

    SHPATULL

    f. sh.
    1. anat. Secila nga të dy kockat e gjera, rrasike e si trekëndësh, që janë djathtas e majtas pjesës së sipërme të shpinës së njeriut; zakon. sh. pjesa e shpinës rreth këtyre kockave; pjesa e trupit të kafshëve me katër këmbë, ku lidhet këmba e përparme me trupin; kocka e kësaj pjese. Shpatulla e djathtë (e majtë). Me shpatulla të gjera (të ngushta). Me shpatulla të forta (të njoma). Një shpatull qengji. Gjerësia e shpatullave. Jam ftohur në shpatull. Më dhembin shpatullat. E mori plumbi shpatull më shpatull. I kanë dalë shpatullat. E vuri me shpatulla në tokë (në sportin e mundjes).
    2. vet. sh. fig. Shpina e supet e njeriut, si pjesa e trupit që mban peshën më të rëndë, punën më të vështirë, mundimet, vuajtjet etj.; kurriz. Rëndonte mbi shpatullat e popullit. E ka (e mban) ai mbi shpatulla. Qëndron në shpatullat e tij. S`ia mbajnë shpatullat nuk e përballon dot. E provoi mbi shpatullat e veta.
    3. shih SHPAT/Ë,~A 3,6. Shpatull samari. Shpatullat e qerres.
    4. shih SHPATËZ, ~A 1,2. Shpatulla e parmendës. I vuri dy shpatulla këmbës.
    5. Vegël e përbërë nga një fletë çeliku në trajtë trekëndëshi e me një dorezë druri, që e përdorin zakonisht bojaxhinjtë për të kruar muret dhe për të mbushur me allçi vrimat e plasaritjet.
    6. Pjesa e urës, e pendës së një lumi etj., që mbështetet në tokë, në faqen e malit a në breg të lumit. Shpatulla e urës (e pendës).
    7. Shpat, shpatinë. Shpatullat e maleve (e kodrave).
    8. bot. Bisk që del në rrëzë të trungut të një peme ose degë që shqitet nga pema për t'u mbjellë. Shpatull ulliri (fiku, ftoi). Shtohet me shpatulla.

      Shprehje

      • I fërkon shpatullat (krahët, kurrizin, shpinën, zverkun) dikujt keq. shih te FËRKOJ. I rreh shpatullat (krahët, supet) dikujt shih te RRAH. S`ka shpatulla për një punë nuk është i zoti për ta bërë një punë nuk e përballon dot. I mbajnë shpatullat mund ta përballojë një punë a një detyrë, ka aftësi për të bërë punë edhe më të mëdha e më të vështira. I ktheu (i solli) shpatullat (krahët, kurrizin, shpinën) dikujt shih te KTHEJ. Të lan në shpatull a) mospërf. ha shumë, përlan çdo gjë që i vënë përpara; b) keq. është vjedhës i fortë, të qëron të bardhën e syrit. Marr mbi shpatulla (mbi supe, mbi vete) diçka marr përgjegjësinë, marr zotimin të bëj një punë të rëndë. Kur të shohë shpatullat (kurrizin, veshët, zverkun, qafën) shih te SHOH. I vuri shpatullat (krahët, gjoksin) diçkaje shih te KRAH,~U. S'kishte (s'i kishte mbetur) gjë në shpatull s'kishte gjë prej gjëje, s`i kishte mbetur asgjë në shtëpi. I kishte shpatullat të ngrohta shih te NGROHTË (i,e). Nuk e kishte as në shpatull të pulës nuk e përfillte fare, nuk e zinte fare në hesap. Kokën mbi shpatulla e ke mendohu vetë; ta kesh merak vetë; vepro me mend në kokë. Shpatullat s'bëhen tri fj. u. edhe mundësia a aftësia për të përballuar punët e vështirësitë ka një kufi. Shpatullat duan këmbë fj. u. për t'u bërë ballë detyrave a vështirësive duhet të i mbështetesh fort diku; duhet t'i mbështetësh këmbët në tokë. E vuri (e mbërtheu) me shpatulla pas murit (në mur) e mposhti kundërshtarin me argumente, me prova e fakte të padiskutueshme e të pamohueshme, e detyroi të dorëzohet. Barkun petë, por shpatullat (kurrizin) drejt! pranon të rrojë keq, por nuk i nënshtrohet armikut. Mos i shiko shpatullat, por shikoji zemrën! fj. u. nuk vlen ai që ka trup të madh, por ai që ka shpirt të madh, që është trim e zemërgjerë. Shpatullat me zemrën s`janë motra fj. u. mund të jetë dikush trupmadh, por frikacak, ndërsa dikush mund të jetë i imët nga trupi, por trim.